Kreu i Frymës së Re Demokratike dhe ish-Presidenti Bamir Topi: Për reformën nuk po punohet për konsensus, por për pazare
Intervistoi : Qamil Xhani / Koha Jonë
Për ish-Presidentin dhe kreun e FRD-së, Bamir Topi debati për reformën në drejtësi nuk ka të bëjë me konsensusin politik, por me pazaret e partive kryesore. Sipas tij, njerëzit partiakë kanë veshur petkun e ekspertëve ligjorë për të realizuar kapriçiot dhe ambiciet e liderëve politikë. Ndërsa shton se urdhëruesit e vrasjeve më 21 janar, janë protagonistët politik të reformës në drejtësi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Topi e sheh të panevojshëm adresimin e problematikave për herë të dytë në Komisionin e Venecias. Ai thotë se, “reforma mund të bëhej shumë mirë me një draft të realizuar ekskluzivisht nga juristë të famës ndërkombëtare dhe të votohej formalisht nga trupa e deputetëve”. Pjesa tjetër e debatit, për ish-Presidentin, i ngjan takimit të klubit të duhanxhinjve që vendosin rregullat sesi të tjerët nuk duhet të pinë duhan.
Ish-presidenti sjellë në vëmendje dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat deformuan sistemin dhe sipas tij “i lanë vendimmarrjet në dorën e sulltanëve të politikës shqiptare”.
Kreu i FRD-së komenton edhe zhvillimet në kampin e Partisë Demokratike. Sipas tij, PD-ja vuan nga virusi “përça dhe sundo”. Në këtë pikë, ish-drejtuesi i forumeve në PD ka dhe një këshillë për kreun aktual, Luzlim Basha. “Nëse nuk del me fizionominë dhe autoritet të plotë dhe të pavarur, zoti Basha mund të largohet nga drejtimi i PD-së si lider pa asnjë trofe dhe për këtë duhet së pari të jetë ai koshient”,- shprehet kreu i FRD, Bamir Topi.
Topi, debati kryesor i këtij fillimviti është reforma në drejtësi. Palët janë ende larg konsensusit dhe i janë drejtuar Komisionit të Venecias për herë të dytë. Sipas jush palët po kërkojnë konsensus politik apo bëhet fjalë për pazar?
Termi “konsensus” i përdorur me tepri, vend e pa vend, sidomos në vokabolarin politik të pas 1997-tës, ka dëshmuar se palët politike në Shqipëri, sa herë e kanë realizuar, kanë qenë të diktuar nga miqtë ndërkombëtare dhe asnjëherë si një motivim i brendshëm i bindjeve dhe vullnetit të tyre politik dhe qytetar. Palët në krizë vazhdimisht kanë qenë të prirur të realizojnë atë që njohin më mirë, pazarin, që në tregun ballkanik vulgarizohet me shprehjen ma jep – ta jap. Asgjë sipas meje nuk ka ndryshuar. E njëjta politikë, të njëjtët (me pak ndryshime) aktorë, e njëjta sjellje, të njëjtat alibi për të mos rënë dakord.
Politika shqiptare jo vetëm që e ka përkeqësuar imazhin e saj, por çuditërisht me virusin e saj ka infektuar herë pas here dhe palët politike në Europë, me debate rreth individëve dhe larg problemeve serioze që ka Shqipëria. Adresimi për herë të dytë i problemeve politike në Komisionin e Venecias është absolutisht i panevojshëm dhe dëshmi e eksportimit të krizës politike dhe institucionale në organizmin, i cili u shpreh dhe nuk mund të bëhet palë me askënd. Kjo sjellje dëshmon një kapriço të partiakëve të sëmurë, të veshur me petkun e ekspertëve juridikë, që sikurse na e sjell memoria e viteve të fundit, kanë qenë instrumente të komisioneve famëkeq të ndryshimit të Kushtetutës të vitit 2008, apo pjesëmarrës si inkuizitorë të përfaqësuesve më të lartë të shtetit për t’i denigruar në publik dhe në institucionet evropiane.
A nuk ju bën përshtypje që urdhëruesit e vrasjeve më 21 janar, janë protagonistët politik të reformës në drejtësi? Atëherë, ku ta kërkojmë drejtësinë? Kjo më shton bindjen se nuk ka konsensus, por pazare që koha po i vërteton ditë pas dite.
Nga mënyra sesi po zhvillohet debati dhe nga kërkesat e PS, LSI dhe PD, produkti i kësaj reforme do të garantojë një drejtësi me standarde dhe ndëshkimin politikanëve?
Në esencë të pyetjes suaj ka një kontradiktë dhe paradoks, që sigurisht nuk vjen nga ju, por nga vetë sjellja politike e përfaqësuesve të këtyre partive. Çdo të thotë standard? Fjalë e dëgjuar shpesh, por e panjohur për ta. Kjo situatë i ngjan takimit të klubit të duhanxhinjve që vendosën të mblidhen dhe të caktojnë standarde sesi të tjerët nuk duhet të pinë duhan. Sipas meje ka shumë retorike, artificializëm dhe mjaft hipokrizi. Gjërat nuk janë aq të vështira sesa bëhen. Më shumë sesa dëshirë për ta mbyllur reformën është vendimi për ta shtyrë pafund. Paradoksi është se drejtësia duhet të veprojë edhe te politikanët, ndërkohë që ata sot kanë sërish rregullat e lojës në dorën e tyre.
Parlamenti aktual dhe vetë sistemi i drejtësisë janë më të akuzuarit për korrupsion dhe lidhje me krimin. A është e besueshme një reformë që në fund do realizohet nga ata që janë vetë të akuzuar?
Totalisht i pabesueshëm. Ky është një Parlament i dalë nga zgjedhje të dyshimta dhe me një përbërje cilësisht shumë të ulët. Para pak kohësh, njerëzit në atë Parlament u lumturuan se filluan procesin e dekriminalizimit. Tani kanë në dorë reforma të mëdha. Reforma mund të bëhej shumë mirë me një draft të realizuar ekskluzivisht nga juristë të famës ndërkombëtare dhe të votohej formalisht nga trupa e deputetëve. Sikurse e kemi parë, ekspertët shqiptarë, ndonëse midis tyre ka juristë të zotë, janë të gjithë të paragjykuar. Pak apo shumë janë të lidhur me interesat e partive politike. Kjo e komprometon procesin dhe rrit mosbesimin.
Si President i vendit keni dekretuar ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008. Edhe vetë Z. Rama kohë më pas i cilësoi aty ndryshime si një gabim. Kanë garanci qytetarët se këtë herë nuk do të përsëritet e njëjta skemë?
Në vitin 2008 i kam kundërshtuar fort dhe me argument atë që u quajt marrëveshja e gjerë, por thellësisht për interesa të ngushta. Natyrisht, në fund i dekretova pasi ezaurova të gjitha mjetet e mia kushtetuese dhe komunikimin publik. Votimi me 115 vota tejkalonte numrin 84 të votimit të Presidentit në Kushtetutën e asaj kohe, por nuk kam reshtur ta denoncoj pazarin që dobësoi në mënyrë dramatike demokracinë dhe institucionet në Shqipëri. Sot e kësaj dite, shoqëria dhe institucionet, përfshirë dhe jetën e partive politike janë të sunduara nga vendimmarrjet e sulltanëve të politikës shqiptare. Paritë janë personalizuar, parlamenti i deformuar, mediat e kapura, institucione që në mjaft raste kanë rënë në krizën e komunikimit dhe vendimmarrjeve etj., etj.
Përsa i përket qytetarëve, ata e kanë deleguar votën te partitë e tyre. Uroj të kuptojnë, se ata nuk i përfaqësojë më. Në të kundërt, ta gëzojnë demokracinë dhe mirëqenien që i kanë dhuruar idhujt e tyre politik.
Përveç qëndrimeve të ekspertëve dhe partive, për reformën në drejtësi ka pasur kritika edhe nga kreu i shtetit Bujar Nishani. A është normale që një proces i tillë, që në nisje thotë se do jetë gjithëpërfshirës, nuk merr parasysh rolin e kreut të shtetit?
Natyrisht, që nuk është normale që institucionet të mos pyeten për qëndrimin e tyre, por mua personalisht nuk më rezulton kështu. Ekspertët e institucioneve kanë qenë të pranishëm në tryezë. Vetë presidenti duhet t’i bëjë publike opsionet e veta, pasi i ka mundësitë e komunikimit publik. Në vitin kur unë isha President dhe z. Nishani ministër, duhet t’i kishte bërë përshtypje që Presidenti i kohës jo vetëm nuk u pyet, por në mënyrë demonstrative i ulën kompetencat brenda një nate. Në atë kohë nuk kishte proces, ndërsa në këtë reformë palët janë dëgjuar.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në rast të mungesës së konsensusit mes partive politike, reforma mund të votohet dhe me referendum. Mendoni se referendumi është zgjedhja e duhur?
Shqipëria nuk e ka kulturën e referendumit, që sipas meje është procesi më demokratik për një shoqëri. Nga viti 1998 e deri më sot, janë bërë shumë ndërhyrje, arnime dhe sërish tentohet. Jam plotësisht i të njëjtit mendim për nevojën e referendumit. Në një politikë të pasinqertë dhe me fizionomi pazaresh politike, referendumi popullor do të ishte ushtrimi i demokracisë direkt. Natyrisht edhe aty do të ketë interferenca politike, por gjithashtu do ishte shumë më mirë, gjithsesi.
Në mbledhjen e Asamblesë së FRD-së, e cilësuat 2016-ën si një kaos politik. A mund të jenë zgjedhjet e parakohshme një mënyrë për të dalë nga ky kaos?
Kaosi politik që padyshim shtohet dita-ditës dhe për fat të keq nuk ka shanse të qartësohet, nuk mund të zgjidhet me mjete artificiale siç janë zgjedhjet e shpejta të parakohshme, pa qartësuar se me çfarë ligji zgjedhur dhe administratë zgjedhore do të shkohet në zgjedhje. Për më tepër, unë prej kohësh kur jam pyetur për zgjedhjet e parakohshme kam thënë që pavarësisht problemeve, ajo që dominon skenën politike është interesi për ta mbajtur së bashku pushtetin dhe për këtë arsye nuk mendoj se do të ketë zgjedhje para afatit.
FRD është pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste, por përveç një përfaqësuesi në Bashkinë e Tiranës nuk kemi parë asnjë angazhim tjetër të FRD-së në nivelet e larta të qeverisjes. E cilësoni të suksesshëm afrimin me PS-në?
Më duhet të ritheksoj se FRD është në koalicion me PS-në vetëm për pushtetin lokal dhe nuk ka marrëveshje për pushtetin politik. Kjo është arsyeja pse nuk shikon njerëz të FRD-së në pushtetin qendror. Sikurse thashë, ne kemi një bashkëpunim në nivel administrativ, që me uljet dhe ngritjet e veta rezultatin e kanë te shërbimi ndaj qytetarëve.
Përveç qëndrimeve parimore për koalicionin me PS-në, për vetë historinë tuaj politike dhe të FRD-së një koalicion me PD-në do të ishte më normal. E shihni FRD në të ardhmen, në një koalicion të madh të së djathtës me PD-në?
Jemi ende larg shprehjes së interesit politik për bashkëpunimet e mundshme në perspektivë. Këto çështje kanë të bëjnë së pari me programin politik, sjelljet politike dhe me strategjinë e çdo partie për të qenë e përfaqësuar në Parlament.
Ka jo pak kritika për rolin e PD-së në opozitë, drejtimin e saj nga Basha dhe ndërhyrjen e Berishës, që thotë se është larguar nga udhëheqja, por vazhdon të ketë ndikim në selinë blu. Çfarë është Partia Demokratike sot për ju?
Ndonëse nuk më pëlqen të komentoj opozitën pasi boll i kemi kritikuar kur abuzuan me pushtetin, do të dëshiroja së pari, të ketë nxjerrë mësimet e duhura, gjë që nuk më rezulton, aq më shumë me një lidhje shpirtërore të liderit historik.
Aprovoj të gjitha zërat, se gjërat nuk shkojnë mirë për opozitën e përçarë nga virusi “përça dhe sundo”. Nëse nuk del me fizionominë dhe autoritet të plotë dhe të pavarur, zoti Basha mund të largohet nga drejtimi i PD-së si lider pa asnjë trofe dhe për këtë duhet së pari të jetë ai koshient. Koha kalon shpejt dhe ajo Parti nuk mund të matet më me performancën që kishte një herë e një kohë. Ishin kohë të tjera…
Diskutime rreth kësaj post