SHËNIM/
Pas tabloidit Daily Mirror, La Stampa-s, revistës L’Espresso e shumë mediave të tjera, ka qenë radha e prestigjiozes “Corriere Della Sera” që ta cilësojë Shqipërinë si “zyrën e punësimit të xhihadistëve të Shtetit Islamik, në Europë”.
Gazetari Antonio Ferrari, në rubrikën “Zëra nga Lindja e Afërt” në “Corriere Della Sera” thotë se e vërteta që shqetëson, NATO-n, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Bashkimin Europian dhe veçanërisht Italinë është se rekrutuesit e ISIS-it po kërkojnë në Shqipëri djem të rinj, të cilëve u ofrojnë 2000 euro në muaj, për kontrata të rëndësishme.
E ndërsa mediat ndërkombëtare vijojnë me shkrime të tilla, në shumë raste spekulative, imazhi i Shqipërisë në sytë e lexuesve europianëve si vend që përgatit xhihadistë, qeveria shqiptare reklamon te revista The Economist se “Shqipëria është Lider i Reformave në Rajonin e Ballkanit”.
E përveç propagandës për arritjet e qeverisë, në shkrimin e sponsorizuar kishte edhe elozhe të tilla: “Si një Kryeministër unik, jo vetëm që e ka përfaqësuar vendin e tij në sport, por edhe si një artist i respektuar me ekspozitat në Evropë dhe New York, Edi Rama, i shpallur Kryebashkiaku më i mirë në botë, për vitin 2004, është i vendosur të transformojë Shqipërinë”.
Qeveria e arsyetoi shkrimin e sponsorizuar se synon të sjellë investitorë të huaj në Shqipëri, por në fakt gjithkush e kupton se një sipërmarrës i fuqishëm ndërkombëtar nuk mund të investojë thjesht ngaqë ka parë një reklamë tek The Economist, por kërkon siguri vend dhe mungesë korrupsioni.
Pra, a nuk do të ishte më mirë që qeveria t’i shpenzonte shumën e 360 milionë lekëve (që pagoi te The Economist) në reklamimin e turizmit shqiptar, në thithjen e sa më shumë turistëve të huaj që mos të kemi thjesht imazhin e një vendi që “punëson xhihadistë”./Tirana Observer/
Diskutime rreth kësaj post