Nga Mero Baze
Partia Demokratike kundërshtoi draftin e reformës për drejtësi përmes një opinioni dërguar Komisionit të Venecias, i cili është shumë larg qëndrimit të saj politik muaj më parë, që nuk dëshironte të përfshihej në këtë proces dhe shumë larg premtimit që ju dha diplomatëve perëndimorë, se do ta pranonte këtë proces, pas rekomandimeve të Venecias.
Njeriu që i shpalli luftë dhe paqe reformës në drejtësi, ishte Sali Berisha. Ai e mbajti PD larg procesit, detyroi presidentin e Republikës, të bëhej zëdhënës i tij për çdo pargraf dhe arriti të bindë diplomatët perëndimorë, se ai ishte qendra e vendosjes për qëndrimin e PD në këtë çështje.
Për këtë shkak, dhe ambasadori Lu, i cili në fillimet e veta shmangte dhe rrugën nga oborri i PD kur shikonte Berishën, filloi të trokasë në zyrën e tij, duke parë se Basha ishte thjesht një njeri që informohej i fundit nga Berisha, për qëndrimet që duhet të mbante PD.
Dhe Bashën unë e kuptoj në këtë proces, por nuk kuptoj kritikët e tij. A ka kritikë të tjerë në PD kundër Bashës, ose Berishës?
Natyrisht që ka. Ka plot deputetë dhe drejtues të PD që janë të pakënaqur nga mënyra se si Basha udhëheq PD, nga mënyra se si Berisha është ende në pushtet brenda në PD, nga mënyra se si merren vendimet dhe organizohet partia etj. Të gjitha pakënaqësitë e tyre, mund të jenë legjitime. Por në politikë, personazhet mbeten në vemendje të publikut, jo për pakënaqësitë brenda partive, por për qëndrimet publike që mbajnë ndaj çështjeve të rëndësishme.
Reforma në drejtësi është një çështje e rëndësishme e cila ka trazuar skenën politike shqiptare, biles ka përfshirë si rrallëherë ndonjëherë dhe diplomatët perëndimorë.
Por, nga brenda Partisë Demokratike, deri tani është dëgjuar vetëm një zë, ai i Sali Berishës, i riprodhuar nga Nishani apo Basha.
Për të dhunuar kritikët e vet brenda partisë, Berisha nisi dhe një fushatë linçimi publik ndaj gjithkujt që sipas tij do tentonte të shitej te shumica për reformën në drejtësi, tentativë që as nuk është bërë dhe as i duhet askujt.
Dhe në përfundim ne nuk kemi as ndonjë mendim ndryshe, më radikal se ai i Berishës, apo më i moderuar se i Lulit, rreth reformës në drejtësi nga brenda PD, dhe as ndonjë kritikë apo vlerësim për mënyrën se si Berisha mori zvarrë PD në këtë proces.
Disidentët e Partisë Demokratike apo dhe Partisë Socialiste, nuk mund të jenë përjetësisht njerëz që flasin kur i heqin nga Kryesia, nga lista e deputetëve apo nga të deleguar nëpër rrethe, por njerëz që kanë lënë shenja publike në debatet më të rëndësishme në vend. Pastaj linçimi apo mbështetja e tyre meriton të bëhet objekt i debatit publik, pasi ata do të njihen si personazhe publik.
Në të vërtetë, në PD deri më sot nuk ka asnjë kritikë për qëndrimin e PD ndaj reformës në drejtësi, çështjes më të rëndësishme politike të vitit, e cila po trondit dhe koalicionin qeveritar. E gjithë PD është e përfshirë në linjën e Berishës, i cili nuk është i interesuar për reformën në drejtësi, por për përdormin e saj për diversion politik brenda shumicës.
Kur them që dikush brenda PD duhet të shfaqë mendimin e tij, nuk them të jetë doemos pro reformës, por të ketë një qasje të tij për atë që po bën PD rreth reformës. Në fakt nuk ka asnjë pëshpërimë rreth kësaj çështje, çka tregon se thatësia politike brenda opozitës është e plotë.
Kur një deputet apo dikush që pretendon të ketë personalitetin e tij politik brenda një partie të madhe, nuk flet për këtë çështje, ai nuk është pjesë e debatit dhe interesit publik dhe nuk do të jetë kurrë interesant dhe nëse viktimizohet dikur nga partia e tij.
Kompleksimi që Berisha u bën deputetëve brenda PD, që të mos dalin nga rreshti për të ndjekur linjën e tij, dhe mungesa e një vlerësimi kritik për joseriozitetin e përdorimit të Partisë Demokratike në këtë proces, të bëjnë të mendosh se Basha ja ka arritur të mos ketë më kritikë brenda PD, por të ketë vetëm një shef, atë që e ka përzgjedhur të jetë si kryetar formal.
Kjo nuk është pak për dikë, që dhe kundërshtarët i mund me hijen e shefit të tij. Dhe nuk është mirë, as për secilin që pretendon të jetë kritik me Bashën, për mënyrën se si bën politikë në emër të PD. Më zvarrë se kaq dhe më pa dinjitet se kaq, nuk mund ta tërhiqte askush PD në këtë proces, por Basha ja doli të çojë vetëm opinionin e Berishës në Venecia, miratuar nga heshtja e kritikëve të tij.
(Marrë nga Gazeta Tema)
Diskutime rreth kësaj post