Në kuadër të punës sensibilizuese që po bën Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm për të mbajtur të ngritur fushatën e rekrutimit për ushtarë/detar aktiv në FA, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zhvilloi një takim me nxënës të gjimnazit “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit.
Duke folur për përzgjedhjen e rrugës së studimeve, Kodheli i ftoi nxënësit që të bëhen pjesë e FARSH.
“Ka shumë arsye pse ju mund të jeni dhe pse duhet të jeni në FA. Ka mundësi punësimi, mundësi të jashtëzakonshme për tu edukuar, trajnuar, studiuar edhe jashtë vendit. Por pse jo ta vini veten në provë, ta mbani trupin në formë, e rëndësishme shumë kjo. Do të keni shanse e mundësi për të lëvizur në botën e madhe që na rrethon, që jo domosdoshmërisht ka perceptimin e duhur nga celulari ku e perceptojmë ne”, u shpreh ajo.
Kodheli u tha nxënësve se “të jesh pjesë e FA do të ndiheni më shumë se sa krenarë që do t’i shërbeni atdheut, një fjalë shumë e madhe, por shumë e rëndësishme. Sepse duke i shërbyer atdheut do të mund t’i shërbeni vetes, familjeve tuaja, ato që do lini dhe ato që do krijoni dhe të ardhmes”.
Në fund të fjalës së saj, Kodheli, në cilësinë e ministres së Mbrojtjes, por edhe si nënë dhe si ish-mësuese, i bëri thirrje maturantëve të këtij gjimnazi që ta mendojnë dhe diskutojnë seriozisht shansin për tu rekrutuar këtë vit në FA, pasi të kenë përfunduar provimet e maturës. Me këtë rast ajo u uroi atyre që ta dalin sa më mirë në provime dhe suksese kudo që të kenë dëshirë për të vazhduar studimet.
Më pas, ministrja Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, kryetari i Bashkisë së Fierit, zArmando Subashi, deputetja e zonës dhe drejtoresha e gjimanzit, takoi dhe bisedoi nga afër me nxënësit e këtij gjimnazi.
Diskutime rreth kësaj post