PD vijon akuzat: Ministri Beqaj i dha vetes 85 milionë lekë
Partia Demokratike ka vijuar edhe sot akuzat në drejtim të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputetja e PD, Arbiola Halimi, ka denoncuar rastin, sipas saj skandaloz, kur ministri i Shëndetësisë i ka dhënë firmës ë tij INTECH plus, 85 milionë lekë për instalimin e një programi tek Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore.
Deklarata e plotë e PD
Korrupsioni i Ilir Beqaj është i larmishëm dhe i shtrirë në shumë fusha.
Një nga faktet më skandaloze është rasti kur ai vetë, drejtpërdrejt i ka dhënë firmës së tij INTECH plus, 85 milionë lekë, për instalimin e një programi tek Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore.
Është një nga tenderët më të parregullt që kanë konstatuar audituesit, pasi jo vetëm kanë gjetur mungesë dokumentacioni, por firma e themeluar nga Ilir Beqaj, ishte ofertuesi i vetëm.
Për më tepër, në krye të bordit të këtij Fondi, ai që merr vendimet, është vetë Ministri, Ilir Beqja.
Sipas burimeve zyrtare, edhe pse në këtë rast Beqaj, i dha me firmën e tij, 85 milionë lekë firmës së tij, Intech plus, shërbimi as nuk është ofruar.
Sistemi i kontabilitetit Oracle, për të cilën Beqaj i dha Beqajt 85 milionë lekë, nuk funksionon.
Vjedhje e hapur, paratë janë dhënë, puna nuk është bërë.
Me gjithë këto rekorde skandaloze korrupsioni, Ilir Beqaj vazhdon të fitojë zemrën e Edi Ramës i cili e ka caktuar së fundmi dhe koordinator për matjen e punës së qeverisë.
Sipas standardeve të kampionit të korrupsionit, punë e mirë është kur vjedh shumë dhe kudo.
E vërteta është se puna e këtij ministri, e kësaj qeveria duket qartë dhe e njohin mirë gjithë qytetarët e vendit.
Tani i takon qytetarëve të bëjnë vlerësimin e tyre. /TiranaObserver
Diskutime rreth kësaj post