Ndahet nga jeta në moshën 60 vjeçare, gazetari i njohur Agron Bala
Gazetari i njohur Agron Bala u nda sot nga jeta në moshën 60-vjecare. I njohur jo vetëm si gazetar por edhe si pedagog i gazetarisë, profesor Bala ka patur një karrierë të pasur në televizion si skenarist, autor programi, pedagog dhe shkrimtar.
Prej disa kohësh, Balaj vuante nga një sëmundje e rëndë, prej së cilës nuk arriti të shpëtonte. Ai vdiq në një spital në Itali.
Kontributi i tij në gazetari daton që në fillim vitet ’90 ndërsa mbi 100 filma dokumentarë dhe programe janë përgatitur nën kujdesin e gazetarit. Ndër to përmendim dokumentare për Luigj Gurakuqin, Vaso Pashën, Hoxha Tahsinin, Mihal Gramenon, Shote Galicën etj.
Që prej vitit 2006, Agron Bala ishte autor i programit 7X7 në RTSH.
Ndërsa përsa i përket krijimtarisë letrare publikoi dhe dy romane. Profesor Bala u lind në qytetin e Shkodrës. U diplomua në vitin 1982 në Universitetin e Tiranës, për degën gjuhë letërsi. Më pas mbaron studimet për gazetari për mos t’ju ndarë botës së televizionit dhe shkrimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të dashur, Agron Bala.
“Është një lajm i rëndë vdekja e mikut dhe shokut tim Agron Bala, me të cilin më lidhin kujtime të bukura që nga fëmijëria e largët kur profesor Vehbiu kujdesej me vëmendjen e posaçme ndaj djalit të vetëm, e deri tek debatet televizive të kohëve të fundit. Qoftë i lehtë rrugëtimi yt në udhëtimin e përmotshëm”, shprehet në ngushëllimin e tij, drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica.
Ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit Bala shprehu edhe kreu i PD-së,. Lulzim Basha. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Basha shkruan: “Me hidhërim dhe tronditje mësova për ndarjen nga jeta të gazetarit të talentuar dhe pedagogut të shquar Agron Bala. Ky lajm i trishtë ka goditur rëndë komunitetin e gazetarëve dhe publikun që për vite me radhë ka ndjekur me respekt dhe besim punën e tij. Ngushëllimet e mija dhe të Partisë Demokratike për familjaret e Agronit. Ndarja e parakohshme nga jeta nuk e zhbën dot veprën që ai la pas. Zoti i dhëntë paqen e përjetshme”.
Diskutime rreth kësaj post