Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), pranë Kryeministrisë, çeli mbrëmjen e së premtes sezonin e vitit 2016 me aktivitetin e titulluar “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas”.
Sipari i këtij sezoni i ishte besuar piktorit Edi Hila, veprat e të cilit u ekspozuan për artëdashësit dhe të pranishmit në ambientet e Qendrës.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, artistë të mirënjohur dhe figura të spikatura të shoqërisë civile u prezantuan një seri veprash të pa ekspozuara më parë të artistit Edi Hila, nën titullin “Vegime Bulevardi”.
Cikli i ri i pikturave të Hilës ka për temë bulevardin kryesor të Tiranës, me objektet më përfaqësuese në sheshin “Nënë Tereza”, godinën e universitetit, ish shatërvanin, godinën e Kryeministrisë. I frymëzuar nga ky bulevard, përmes pikturës dhe ngjyrave, kryesisht grisë, blusë dhe të dheut, Hila paraqet vizionin e tij të Shqipërisë së kohës së tranzicionit.
“Nga njohja ime e botës së Edit është e pamundur që ajo të përmblidhet në një pasqyrë të vetme. Madje është më shumë si një lojë e shumë pasqyrave, pas të cilave fshihet një njeri timid, por shumë i thellë, që flet përmes këtyre pasqyrave, pa qenë asnjëherë në gjendje të thotë se cila është pasqyra ku reflektohet realisht ajo çka ai kërkon të thotë. Emocioni që kam është shumë i thjeshtë në arsye dhe nuk ka të bëjë thjesht me lidhjet e mia të kahershme me Edin, por ka të bëjë me faktin që vepra e tij apo një seri e re e veprës së tij prezantohet për herë të parë, këtu në këtë godinë. Kush e njeh historinë e Edit me strukturën e shtetit, e di shumë mirë se çfarë kam unë parasysh me strukturën e shtetit si prezencë në jetën e tij, qysh se në fillim të viteve ’70-të, ai pa dashje u shfaq ashtu siç ishte i gjithi në një pasqyrë ku të tjerët lexuan një shtrembërim serioz të realizmit socialist, gjë që më pas i solli Edit edhe shumë telashe, por që e vendosi dhe në mënyrë definitive, besoj unë, në një raport shumë të komplikuar me godinat e shtetit dhe me dyert e godinave të shtetit. Prezenca e kësaj serie të re brenda kësaj godine, por me një cikël pasqyrash që reflektojnë shpirtin e këtyre godinave dhe që siç e shihni apo do ta shihni, shpirti i reflektuar është ndryshe nga çfarë godinat duan të tregojnë, është vërtet sensacionale,” – e vlerësoi Kryeministri Rama, ciklin e ri të punimeve të Hilës.
Edi Hila është i njohur jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe atë të huaj. Punët e Hilës janë ekspozuar në disa kryeqytete europiane. Një vit më parë, Edi Hila bashkë me Ardian Pacin, prezantoi Shqipërinë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, me veprën “Monumente të Mundshme Ardhmërisht të Parealizuara”, të cilën më pas e ekspozoi edhe në Londër.
Ekspozita “Vegimet e bulevardit” është fillimi i një diskutimi mbi kulturën e dialogut dhe transformimin e saj që në këtë sezon,, COD do të shpalosë me një seri aktivitetesh si konferenca, seminare, eksperimentime artistike, prezantime botimesh dhe autorësh.
Diskutime rreth kësaj post