Gjatë vitit 2015, numri i hetimeve të pezulluara për mungesë autori ka qenë i lartë.
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Lalla, i pranishëm sot në analizën vjetore të Prokurorisë së Apelit të Vlorës theksoi se, pjesa më e madhe e këtyre rasteve lidhen me çështjet e kultivimit të drogës, ku edhe ka patur aksione të shpeshta anti-kanabis, veçanërisht në rajonin Vlorë-Fier, por që jo gjithmonë janë shoqëruar me evidentimin e personave përgjegjës.
Nisur nga kjo, si edhe nga fakti që ky tregues lidhet drejtëpërdrejtë me punën parandaluese të institucioneve të tjera ligjzbatuese, Llalla kërkoi nga drejtuesit e prokurorive të pranishëm në analizë që të vijojnë të luajnë rolin koordinues ndërmjet agjencive të tjera ligjzbatuese, për përpunimin sa më të plotë dhe efikas të informacionit nga terreni.
Në fjalën e vet, Llalla u ndal edhe në ngjarjet e fundit kriminale në Vlorë dhe në rajonin Vlorë-Fier, të cilat sipas tij, janë të lidhura me raste të ngjashme në qytete e rrethe të tjera. “Në shtrirjen gjeografike Vlorë-Fier, ka pasur në vijimësi një situatë specifike kriminale, e cila e përhap problematikën e saj në shumë qytete të Shqipërisë. Ky fakt është edhe arsyeja që Vlora nuk është zgjedhje rastësore për fillimin e procesit të analizave”, theksoi kreu i Prokurorisë shqiptare, duke evidentuar faktin se në në organin e akuzës në nivel Apeli në këtë qytet, përfshihen prokuroritë e Vlorës, Fierit, Lushnjes e Beratit.
Por, pavarësisht kësaj, ai theksoi se në Vlorë dhe në Fier konstatohet numër i lartë vendimesh pafajësie nga ana e gjykatës, megjithëse në çdo rast, bindja e prokurorisë është që personat e akuzuar janë përgjegjës për veprat penale. Ky fakt, sipas Kryeprokurorit Adriatik Lalla, nuk e nxjerr prokurorinë jashtë përgjegjësisë. Prandaj dhe ai garantoi se, do të vijojë të kërkojë nga strukturat inspektuese në Prokurorinë e Përgjithshme intensifikimin e kontrolleve mbi punën e prokurorëve për rastet e pafajësisë. Gjithashtu, edhe drejtuesit e prokurorive duhet të analizojnë në çdo rast arsyet ose mangësitë në dosjet hetimore, të cilat nuk finalizohen me persona para përgjegjësisë.
Kreu i Prokurorisë vlerësoi punën e prokurorisë së Vlorës për shtimin e ndjeshëm të rasteve të sekuestrove dhe konfiskimit të pronave të përfituara në bazë të dokumenteve të falsifikuara. Çështja e pronave, krahas paligjshmërisë së dokumenteve, ka qenë një ndër shkaqet e përkeqësimeve të situatave, në raste edhe me pasoja të rënda për jetën e shtetasve.
Këtu ai ju referua edhe marrëveshjes së nënshkruar në Vlorë në muajin gusht të vitit të kaluar, mes tij dhe disa institucioneve, përmes të cilës do të goditej problematika e fallsifikimit të pronave.
Diskutime rreth kësaj post