Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi është mbledhur të premten për të diskutuar draftin e hartuar nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë për ndryshimet kushtetuese, i cili do t’i përcillet për ekspertizë Komisionit të Venecias.
Në nisje të mbledhjes eksperti Sokol Sadushi bëri një prezantim permbledhes të draftit kushtetues të ripunuar duke spjeguar se grupi i punës “ka shkuar drejt asaj që thotë Venecia për një thjeshtim skeme dhe jo fshirje institucionale, një thjeshtim që ka të bëjë më shumë me mënyrën e bashkëpunimit institucional dhe zhdërvjelltësi, si dhe thjeshtim në përbërje dhe kompetenca.
Sa i takon ngushtimit të aneksit, grupi e ka strukturuar saktë duke u përqendruar tek përbërja, ngritja dhe organizimi i institucioneve të përkohshme, vijoi Sadushi. Edhe për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, vijoi ai, ndryshimet kanë reflektuar të gjitha rekomandimet e Venecias.
Eksperti i maxhorancës theksoi se grupi hartues i paketes kushtetuese është treguar rigoroz në procedurat përzgjedhëse të gjyqtarëve, që të ato të parashikohen përmes rregullash të qarta dhe të ndershme. Gjithashtu, Sadushi tha se projekti i rishikuar përcakton një marrëdhënie më të qartë se sa në draftin fillestar mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
Më pas e mori fjalën përfaqësuesi i opozitës, deputeti Eduard Halimi, i cili e vlerësoi draftin e ekspertëve të lartë si ‘kapje politike të sistemit të drejtësisë”. Drafti tha ai duhet të ishte konsensual dhe të zbatonte një më një udhëzimet e opinionit të Venecias.
Ky draft mendohet të jetë i vetmi dokument që do të kalojë në komision, ndonëse në media u bë publik dhe një tjetër draft i Ministrisë së Drejtësisë, për të cilin ekspertët e lartë thanë se e kanë përfshirë në projektin e tyre final.
Të enjten në mbrëmje, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilluan takime me ekspertët respektivë para mbledhjes së sotme të komisionit.
Pas takimit të z. Meta me ekspertët e tij, u bë e ditur se LSI, ne mënyrë pozitive dhe konstruktive, do të paraqesë të premten mendimet e saj në komisionin e posaçëm, në funksion të përmirësimit të draftit të propozuar nga ekspertët.
Ndërsa Partia Demokratike deklaroi se do të vijojë dhe sot përpjekjet për arritjen e një drafti të reformës në drejtësi që në përmbajtjen e tij të pasqyrojë një më një të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Diskutime rreth kësaj post