Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski në një deklaratë të jashtëzakonshme për median nga godina e qeverisë njoftoi largimin e tij nga posti që mban, pas një seance të mbajtur sot pasdite nga këshilli ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri konservator maqedonas, Nikola Gruevski njoftoi se do të paraqiste nesër letrën e dorëheqjes, një vendim i parashikuar në një marrëveshje mes partive kryesore maqedonase për të dalë nga një krizë e gjatë politike, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme.
“Nesër në mëngjes do t’i paraqes kryetarit të Parlamentit letrën e dorëheqjes nga posti i kryeministrit, që do të hyjë në fuqi 100 ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Gruevski.
Zgjedhjet e parakohshme janë parashikuar në parim në muajin prill.
“Të gjitha partitë kanë nënshkruar këtë marrëveshje (…) kemi pranuar shumë kompromise për të mirën e shtetit dhe popullit tonë. U zgjodh prokurorja speciale. Ndryshuam anëtarët e KSHZ-së dhe opozita ka shumicën. Ne i plotësuam kriteret tona, ndërkohë që LSDM-ja ka kundërshtuar detyrat e saj. Marrëveshja e 2 qershorit përfshin edhe dorëheqjen e kryeministrit, ndaj unë e respektoj edhe këtë dhe i qëndroj besnik marrëveshjes. Ka ardhur koha për të përmbushur detyrimet tona dhe zgjedhjet duhet të zhvillohen më 24 prill”, nënvizoi Gruevski.
“Unë qëndroj edhe prapa asaj pjese të marrëveshjes. Dëshiroj që përfundimisht të largohet paqartësia, të largohen të gjitha problemet, konfliktet. Dua që vendi ynë të ecë përpara dhe të vazhdojë të zhvillohet fuqishëm”, theksoi Gruevski.
Ndërkohë bëhet fjalë për një dorëheqje të kushtëzuar, që pritet të hyjë në fuqi 100 ditë përpara zgjedhjeve, që do të thotë se dorëheqja nuk hyn në fuqi aktualisht, nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni nuk do të mbahen më 24 prill, siç është parashikuar.
Kjo qeveri tranzicioni ka për mision kryesor organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dy vjet para përfundimit kushtetues prej katër vjetësh.
Diskutime rreth kësaj post