Në Kosovë nuk janë krerët e shtetit ndër zyrtarët më të paguar në vend. Janë liderat e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të ndryshme të cilët paguhen prej 3 mijë deri në mbi 5 mijë euro në muaj.
Për standardin e Kosovës, ky është një burim i pakënaqësisë së njerëzve kur dëgjojnë për këto paga tepër të larta. Megjithëse performanca e ndërmarrjeve dhe agjencive nuk është e kënaqshme, dhe për këtë njohësit e ekonomisë thonë se këta udhëheqës nuk i meritojnë pagat marramendëse.
Drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Adrian Zalli mbetet zyrtari më i paguari në vend. Ai vazhdon të marrë pagën mujore 15 herë më të lartë se paga mesatare në vend. Zalli pagë mujore merr 5 mijë e 213 euro ose 62 mijë e 567 euro në vit.
Pas Zallit, pagën më të lartë e ka Agron Mustafa, kryeshef ekzekutiv në Telekomin e Kosovës, i cili merr pagë mujore 4 mijë e 451 euro.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Bedri Hamza merr pagë mujore 4 mijë e 301 euro ose 51 mijë euro pagë vjetore.
Pas guvernatorit vazhdon Avni Jashari, drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) i cili fiton 3 mijë e 979 euro në muaj ose pagë vjetore 47 mijë e 749 euro. Fare keq nuk qëndron as Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës, i cili merr pagë mujore 3 mijë euro.
Edhe Bahri Nuredini, kryeshef në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) merr pagë mujore 2 mijë e 970 euro, kurse drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Arben Gjukaj ka pagë mujore 2 mijë e 413 euro.
Ndërkaq, krerët e shtetit të Kosovës kanë pagat më të ulëta krahasuar me udhëheqësit e këtyre agjencive dhe ndërmarrjeve.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga merr pagën mujore 2 mijë e 800 euro, kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli 2 mijë e 724 euro.
Kryetari i Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa nuk ka deklaruar pagën e kryeministrit në fletën e deklarimit të pasurisë në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion, përveç pagës që merr nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 15 mijë e 422 euro në vit dhe pagës vjetore nga Fakulteti Ekonomik, që kap shumën prej 10 mijë e 145 euro në vit.
Ndërsa, paga mujore e një ministri aktual në Qeverinë e Kosovës është rreth 1 mijë e 200 euro. Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi pagë vjetore merr 14 mijë euro, që i bie se ai merr pagë më të ulët se bashkëshortja e tij, e cila fiton 18 mijë euro, brenda një viti në një kolegj privat në Prishtinë.
Diskutime rreth kësaj post