Plaku dhe Dosti pranë Teutës
Sulmuesi kryeqytetas dhe mesfushori durrsak janë në bisedime për t’u bërë pjesë e “djemve të detit” në vijim të sezonit Andi TANKU Teuta nuk qëndron pas në merkaton e janarit. Ashtu siç ishte bërë me dije disa ditë më parë, ekipi durrsak do të bëjë përforcimet e nevojshme për të ruajtur me çdo kusht vendin e 3-të në renditje dhe për të arritur me sukses pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Ndërkohë që janë zbardhur edhe dy emrat që përfliteshin si lojtarët me të cilët drejtuesit e klubit të Teutës janë në bisedime. Burime pranë gazetës bëjnë me dije se durrsakët kanë hyrë në tratativa për të marrë shërbimet e sulmuesit Sebino Plaku dhe mesfushorit Albi Dosti. I pari është tashmë një lojtar i lirë pas prishjes së kontratës me konsensus me Partizanin, ekip me të cilin u aktivizua në pjesën e parë të sezonit. Negociatat me lojtarin mësohet se janë në rrugën e duhur dhe me shumë mundësi, Plaku do të nisë në ditët në vijim, aventurën e tij me skuadrën e re. Për sa i përket Albi Dostit, mesfushori ishte pjesë e ekipit të Montanës në Bullgari, skuadër tek e cila u transferua në merkaton e verës. Por duket se paraqitja jo e mirë e Montanës në këtë sezon në kampionatin bullgar ka bërë që Dosti të mendojë edhe një largim të mundshëm. Kujtojmë se mesfushori, i cili më parë ka qenë pjesë edhe e Kukësit në Superiore, ka debutuar pikërisht me Teutën në elitën e futbollit shqiptar, në një moshë fare të re, 16-vjeç.
Diskutime rreth kësaj post