Brazili e Kosova dominojnë merkaton e Superiores
Pasi kanë kaluar 10 ditët e para, merkatoja në hyrje e skuadrave të kategorisë Superiore është e përqëndruar në vetëm 2 drejtime. Nga Kosova në Brazil, pjesa dërrmuese e futbollistëve që u janë bashkuar deri tani skuadrave të kampionatit tonë vinë nga këto dy vende. Kukësi, Flamurtari dhe Partizani janë tre skuadrat më aktive në këtë merkato, ndërkohë që nuk mbeten pas as Skënderbeu, Tirana e Bylis. Të vetmet klube të Superiores që nuk ka lëvizur aspak deri tani përsa i përket merkatos në hyrje janë Teuta dhe Vllaznia, durrsakët për faktin se kanë një grup të konsoliduar ndërsa shkodranët gjatë kësaj periudhe janë përqëndruar më shumë në gjetjen e trajnerit e ri, dhe tashmë do të drejtohen nga një emër i njohur si Armando Cungu. 5 futbollistë ka afruar Flamurtari në merkato duke kompensuar disi largimet e shumta gjatë periudhës Nëntor-Dhjetor të vitit të kaluar. Drejtuesit e klubit vlonjat e kanë përqëndruar vëmendjen mësëshumti nga tregu amerikano-jugor teksa kanë vendosur në dispozicion të trajnerit Zekerija Ramadani brazilanët Lucas Canniggia, Danilo Alvesh, Zhoao Henrique, kosovarin Dardan Qerkini dhe sëfundmi mesfushorin uruguian Ignacio Nicolini. Edhe Kukësi përpos largimeve ka sjellë në ekip brazilianin Uilliam Da Silva, sulmuesin tjetër Izair Emini si dhe Eni Imamin, Marvin Turtullin dhe Mergent Sulmatën. Partizani ndërkohë ka zyrtarizuar tre blerje mbrojtësin nigerian Atanda dhe dy futbollistët kosovarë Qemail Elshani e Ylber Ramadani ndërkohë që është rikthyer në ekip pas huazimit 6 mujor te Tërbuni sulmuesi Jurgen Vatnikaj. Drejtuesit e Kuq po punojnë për të realizuar një goditje të madhe në merkaton e Janarit dhe janë pranë arritjes së marrëveshjes me brazilianin e Peruxhias Filipe Gomes, futbollist ky me një cv shumë të pasur pasi në të kaluarën ka luajtur edhe për Romën. Dy janë përforcimet e Skënderbeut deri tani braziliani Renato Carlos i njohur si Renatinho dhe 21-vjecari i lindur në Tetovë Valmir Nafiu. Tirana edhe pse ka arritur marrëveshjet është ende në pritje të dy brazilianëve Hugo Almeida dhe Aleks Uillian ndërkohë që Bylis ka zyrtarizuar afrimet e mbrojtësit Julian Brahja dhe kosovarit Samir Sahiti. Laci ka shtuar rradhët vetëm me Enco Malindin, kurse Tërbuni vazhdon të mbetet një kantier ndërtimi me shumë futbollistë që janë larguar nga skuadra pukjane teksa Klajdi Kuka është afrimi i vetëm.
Diskutime rreth kësaj post