Situata në Prishtinë, pas protestave të dhunshme të opozitës, ka nisur të qetësohet, ndërsa protestuesit janë shpërndarë dhe policia është tërhequr.
Në një konferencë të jashtëzakonshme, Policia e Kosovës ka paraqitur bilancin e ngjarjeve të sotme, në bazë të informacioneve të deritanishme.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se si pasojë e hedhjes së mjeteve të rrezikshme nga protestuesit, deri tani të lënduar kanë mbetur 24 protestues, 2 qytetarë, 10 policë dhe 3 gazetarë. Ndërkaq, sipas Kelanit, pjesëmarrës në këtë protestë ishin 8 mijë qytetarë. VV tha se në protestë morën pjesë mbi 100 mijë qytetarë.
Më herët, ndërtesa e Qeverisë së Kosovës mori flakë nga shishet e shumta të molotovit, që protestuesit hodhën në drejtim të Qeverisë. Pas kësaj ka ndërhyrë Policia e Kosovës e cila ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Sipas KosovaPress, protestuesit dhe Policia u konfrontuan mes tyre. Policia vuri në lëvizje edhe autoblindat, ndërsa dy prej tyre iu është vënë flaka nga kokteji Molotov që kanë hedhur protestuesit.
Nga përplasja e ashpër mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve, kanë mbetur disa policë të lënduar. Gazetarët e KosovaPress-it në terren raportojnë se disa policë kanë marrë goditje nga gurët dhe mjetet e forta që po hidhen në drejtim të tyre.
Përplasjet u zhvilluan edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”,ku Policia u detyrua t’i shpërndajë protestuesit që filluan të hedhin koktej molotovi në drejtim të objektit të Qeverisë në sheshin “Skëndërbeu”.
Ndërkohë, policia arrestoi disa nga protestuesit e dhunshëm që kanë hedhur në drejtim të tyre koktej Molotovi. Raportohet se deri më tani janë arrestuar gjashtë protestues.
AAK: Incidentet e dhunshme janë të papranueshme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe lideri i saj Ramush Haradinaj kanë apeluar me anë të një komunikate që të tërhiqen të gjithë të përfshirët në incidentet e dhunshme pas protestës së sotme të opozitës në Prishtinë.
“Protesta e sotme e mbajtur në Prishtinë, ishte protesta më e madhe e mbajtur që nga paslufta. Dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha përcaktimet politike, sot i thanë jo qeverisë Mustafa. Mesazhet e kësaj proteste ishin më të qartat dhe më të vendosurat se kjo qeveri nuk mund ta vazhdojë mandatin e saj. Ne si parti politike u shprehim falënderimet më të thella qytetarëve të Kosovës, për angazhimin e tyre dhe për vendosmërinë që të jenë aktiv në vendimet e rëndësishme për vendin”, thuhet në komunikatë, ndërsa theksohet se aleanca jonë do të vazhdojë të jetë e lidhur ngushtë me qytetarin e vendit edhe në këto momente të ndjeshme.
AAK njëkohësisht shpreh keqardhjen për incidentet që pasuan protestën e sotme. “AAK dhe Kryetari Haradinaj ftojnë të gjithë ata që eventualisht kanë mbetur të përfshirë në incidente të dhunshme, që të tërhiqen sa më parë dhe të mos e rrezikojnë as sigurinë e vet e as të policisë së Kosovës dhe njëkohësisht ta zbehin zërin e fuqishëm qytetarë kundër kësaj qeverie. Incidentet e dhunshme janë të papranueshme, po aq sa është e papranueshme edhe sjellja e papërgjegjshme e qeverisë ndaj reagimit qytetar.”, thuhet në komuniaktën e AAK-së.
Nis protesta e opozitës, mijëra protestues në shesh
Rreth orës 14:00 opozita nisi protestën e paralajmëruar kundër qeverisë për marrëveshjen e firmosur në Bruksel me Serbinë për Asociacionin e komunave serbe, si dhe demarkacionin me Malin e Zi. Protestuesit mbanin në duar edhe harta që tregojnë për territorin që pretendojnë që qeveria do t’ia jap Malit të Zi.
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj para qytetarëve të shumtë në sheshin “Skënderbeu” ka thënë se sot është dita kur do të bjerë Qeveria. “Po vjen dita juaj qytetarë. Po vjen dita juaj atdhetarë, dita juaj të rinjë e të reja. E drejta po fiton. Ne i themi “jo” korrupsionit që e ka varfëruar Kosovën, “jo” Kosovës pa ushtrinë e vet, “jo” “zajednicës” që na e sjell Serbinë në Kosovë, “jo” demarkacionit, që nga Çakorri e afron kufirin në Kuqishtë dhe nga Kulla e Zhlepit në Savino Vodë”, tha Haradinaj.
Ndërsa Lideri i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë para mijëra protestuesve se Kosova është bashkuar në Prishtinë për t’u thënë shkelësve të Kushtetutës, që nuk mund të qeverisni më shtetin e Kosovës.
Limaj ka deklaruar se nuk ka shtet në Evropë që pranon qeverisjen nga një Qeveri që ka shkelur Kushtetutën, të cilët për muaj të tërë kanë tentuar ta përlajnë qytetarët e Kosovës.
“Qeveria nëse nuk e ka kuptuar deri mbrëmë se çfarë ka bërë, sot në sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skenderbe ka ra Qeveria e Kosovës, ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të zgjidhet kriza politike”, tha Limaj.
Në fjalimin e tij para mijëra protestuesve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se masiviteti i qytetarëve në protestën e opozitës, tregon se pushteti nuk mbahet me dhunë, polici e shtypje. Ymeri theksoi gjithashtu se nuk mund të ketë demokraci kur në krye të shtetit qëndrojnë shkelësit e Kushtetutës.
Për këtë Qeveri, Ymeri tha se po tenton ta zhbëj Republikën e Kosovës. Sipas Ymerit, përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, po vazhdojnë ta kërcënojnë Republikën duke insistuar në themelimin e AKS-së. Në fund Ymeri tha se “është koha e zhvillimit, e mirëqenies, e barazisë”. “Kjo kohë fillon sot me ju, pa Zajednicën, pa Isën e Hashimin”, tha ai.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një postimi në “Facebook” thotë se në protestën e sotme të pranishëm janë mbi 100 mijë qytetarë të vendit. ““Protesta më e madhe pas luftës! Pjesëmarrja masive e mbi 100 mijë qytetarëve tregon mbështetjen e madhe që kanë kauzat e opozitës”, thuhet në këtë postim. Sipas Vetëvendosjes, Qeveria tani nuk ka mbështetje dhe duhet të largohet.
Përse proteston opozita në Kosovë …
Qeveria e Kosovës nga mbledhja e pasdites së djeshme, u ka bërë thirrje partive politike të opozitës që, “protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore”.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçanërisht asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë deputetë opozitarë.
“Numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”, theksonte në një njoftim Lëvizja Vetëvendosje në mesnatën e mesit të dhjetorit 2015, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës, në orët e vona të natës kishte mbajtur seancë në sallë alternative, derisa deputetët e opozitës kishin qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Diskutime rreth kësaj post