Mustafa-Thaçi: Apel opozitës për organizimin e protestave paqësore
PRISHTINË, 8 Janar,
Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kanë shfrytëzuar mbledhjen e pasdites së Qeverisë për të kërkuar që protesta e thirrur nga opozita për nesër më 9 janar të jetë paqësore dhe pa dhunë.
I pari i ekzekutivit deklaroi se askush nuk ka të drejtë të ushtroj dhunë për motive politike dhe për të arritur në pushtet.
Kreu i ekzekutivit bëri me dije se organet e rendit do të jetë edhe më 9 janar në krye të detyrës së tyre duke mbrojtur rendin dhe ligjin.
“Shfrytëzoj këtë mbledhje të Qeverisë për t’i bërë thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore. Kjo para së gjithash se Kosova ka përjetuar mjaft dhunë dhe askush nuk ka të drejtë të demonstroj dhunë për motive politike dhe për ardhje në pushtet. Organet shtetërore do të përkujdesën me përgjegjësinë më të madhe për ta ruajtur rendin dhe qetësinë, për ta ruajtur jetën e qytetarëve, pronën publike”, theksoi Mustafa.
Ndërsa Thaçi tha se Kosova tani është duke ecur në rrugë të mbarë pas nënshkrimit të MSA-së dhe plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave, por po ballafaqohet me kërcënime e sfida të panevojshme e të paarsyeshme.
Sipas tij, institucionet e vendit janë legjitime dhe të dala nga zgjedhjet, rezultati i të cilave është pranuar edhe nga partitë opozitare dhe si të tilla, këto institucione do të përfundojnë mandatin e tyre atëherë kur edhe është e përcaktuar me Kushtetutë, në vitin 2018.
Thaçi deklaroi mes tjerash se opozita e dhunshme është duke rrezikuar arritjet e vendit në shumë procese të rëndësishme që po kalon e pritet të kalojë Kosova.
Diskutime rreth kësaj post