Policia e Kosovës, plan operativ para protestës së opozitës
Policia e Kosovës deklaroi sot se “lidhur me protestën e paparalajmëruar në bazë të ligjit mbi tubimet publike, të organizuar nga tre partitë opozitare, e cila pritet të mbahet nesër, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ”.
“Qëllimi strategjik i këtij plani operativ është: Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit; Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës; Ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet; Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike etj.”, thekson deklarata e dërguar.
Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.
“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”, theksohet më tej.
Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të protesteës së nesërme të opozitës.
Diskutime rreth kësaj post