Rama: Po paguajmë pasojat e zhvillimit kaotik, pa ligj dhe rregulla për 20 vjet
Kryeministri Edi Rama bën të ditur se në dy vjet është bërë një punë shumë e konsiderueshme për pastrimin e rreth 649 kilometra kanale kulluese që s’ishin prekur për 20 vjet.
Në një postim në faqen e tij në “Facebook”, Rama shkruan se ”falë kësaj pune, dëmet nga përmbytjet rezultojnë shumë më të vogla se ç’mund të ishin me këtë furi reshjesh”. “Puna vazhdon dhe me 25 milionë dollarë që janë dedikuar për pushtetin vendor, për të vijuar intensivisht këtë vit pastrimin e kanaleve e njëkohësisht do të fillojë ngritja e një flote të mirëfilltë mjetesh në dispozicion të vendorëve për këtë qëllim”.
Gjithashtu, shprehet ai, “do të vazhdojë edhe puna për pastrimin e magjistraleve dhe rimëkëmbjen e mëtejshme të argjinaturave, ku për dy dekada janë bërë vetëm dëmtime e arnime. “Sidoqoftë është e qartë për çdo mendje të arsyeshme, se një pjesë e dëmeve të sotme janë pasojat që i paguajmë dhe do vazhdojmë t’i paguajmë ende për disa kohë zhvillimit kaotik, pa ligj, pa rregulla, me ndërtime kuturu e me shkatërrime masive të pyjeve, lumenjve e sistemeve mbrojtëse, për njëzet e kusur vite me radhë”.
Kreu i Qeverisë ishte sot në Sukth e Shijak ku strukturat shtetërore janë mobilizuar për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga uji.
Diskutime rreth kësaj post