Abrahams: Mundet që Berisha rikthehet përsëri në pushtet brenda partisë
Shkrimtari i njohur amerikan, Fred Abrahams, në një intervistë në emisionin Tonight Ilva Tare ka folur rreth eksperiencës së tij në Shqipëri në periudha të rëndësishme të vendit. Duke gjykuar mbi figurën e Enver Hoxhës, Abrahams ka thënë se ai ishte produkt i shoqërisë dhe i kohës, por ishte gjaksor dhe paranojak.
Sipas Abrahams, regjimi i atëhershëm arriti të kontrollojë protestat dhe vendosjen e regjimit demokratik qeverisës në Shqipëri në vitet 1990. Ai është shprehur se në Shqipëri nuk ka patur revolucion pasi nëse do të kishte, do ishte derdhur shumë gjak.
Abrahams ka folur gjithashtu edhe për rolin e SHBA në tranzicionin shqiptar. Ai ka thënë se SHBA kanë mbështetur një njeri, më shumë se sa janë përpjekur për të krijuar institucione dhe ky ka qenë një gabim.
Duke bërë një përshkrim edhe për figurat kryesore të vendit, Fred Abrahams e ka përshkruar Sali Berishën si një njeri i fortë politikisht dhe i qartë në synimet e veta, por gjithashtu një njeri destruktiv, i cili ka interesat e veta përpara atyre të vendit.
Për Kryeministrin Edi Rama, Abrahams është shprehur se ka shumë për zemër estetikën, ndërsa Rilindja e tij nuk është ajo që prisnim.
Për kreun e opozitës, Lulzim Basha, shkrimtari është shprehur se ende duhet të fitojë Partinë pasi Berisha është akoma shumë i fuqishëm në parti.
Vlerësim për Enver Hoxhën
“Natyrisht ishte një figurë komplekse. Ishte një politikan shumë i aftë por ishte paranojak, gjaksor, i dhunshëm, ideolog edhe një burrë i rrezikshëm si karakter dhe për veprat e tij. Në fakt ai ishte një kombinim kompleks nga karizma, aftësia politike, ftohtësia dhe egërsia. Një gjë është e rëndësishme. Të gjithë politikanët, Enver Hoxha dhe të tjerë më vonë janë prodhime të kohës dhe produkte të shoqërisë. Enver Hoxha nuk është se erdhi nga jashtë ose nga një planet tjetër por shoqëria e ka pranuar edhe këtë diktator dhe kjo ishte kultura politike në atë kohë. Është gabim sipas mendimit tim të thuash që Enver Hoxha ishte një alien. Ishte shqiptar dhe ishte prodhim i shoqërishë së atëhershme.”
A e kontrolloi regjimi rënien e komunizmit dhe ardhjen e demokracisë?
Po, unë mendoj që po. Jo 100% por ishte një farë transferimi të influencës. Ramiz Alia dhe të tjerë kanë patur frikë nga shkodranët dhe kavajsit në rrugë në demonstratë se ishin jashtë kontrollit. Por këtu në Tiranë, intelektualët ishin në parti ose afër partisë. Përshembull, ka patur një mbledhje në korrik të vitit 1990 mes Ramiz Alisë dhe intelektualëve dhe ata ishin të gjithë afër regjimit. Ishin intelektualë të besuar, Kadare, Sali Berisha etj. Kanë patur edhe kritika, edhe Sali Berisha ka kritikuar por ishin naïve. Ramiz Alia ishte i kënaqur sepse shkodranët ishin jashtë kontrolit, kavajsit jashtë kontrollit por këtu në Tiranë mund të kishte një farë kontrolli.
A e ka dëmtuar kjo demokracinë që ka patur Shqipëria më vonë?
Ka diçka të mirë dhe diçka të keqe. E keqe është që revolucion në Shqipëri nuk ka patur, në kuptimin, një prishje e fortë me të kaluarën dhe një force të re, siç ishte në Gjermani, Çekosllovaki ose Poloni dhe vende të tjera. Një forcë me të vërtetë të re, nuk ka patur këtu. Por e mira është se nëse në Shqipëri do të kishte një revolucion të vërtetë, kishte mundësi që të kishte shumë gjak, po të shohim çfarë represioni ka qenë këtu, çfarë diktature, burgosje politike, mundësia për dhunë të madhe ishte. Ndoshta ishte mirë kështu, ndoshta. Është pikëpyetje, por mund ta debatojmë, dhe kjo sepse Ramiz Alia nuk ishte si Enver Hoxha. Enver Hoxha ishte me dhunë, kurse Ramiz Alia ishte pak më i hapur.
A ka patur heronj të vërtetë apo të rremë ato që u krijuan për meritat e rënies e komunizmit?
Është një miks sepse ka patur momente dhe individë të cilët me kurajë kanë bëra gjëra heroike por në përgjithësi ka edhe sot shumë mite për të krijuar një imazh që menjëherë në Shqipëri, pas vitesh komunizëm, pa disidencë dhe menjëherë erdhën demokratët më të mëdhenj në botë. Kjo është fantazi dhe është e rrezikshme. Si është e mundur në një vend si Shqipëria me një parti,pa opozitë, dhe menjëherë erdhën demokratët më të mirë në botë? Kjo është një diferencë artificiale.
Sali Berisha
Sali Berisha është njeriu më i rëndësishëm në jetën post-komuniste në Shqipëri, pa diskutim. Ai ishte edhe i qartë, edhe i fortë, edhe i vendosur dhe që nga momenti i parë, dhjetor 1990, ka qenë politikan. Unë njoh edhe të tjerë, Gramoz Pashko etj. Sali Berisha shkonte në punë direkt pa pirë kafe dhe shkonte direkt në shtëpi pa pirë verë. Unë e kuptoj shumë mirë pse u bë kryetar i partisë dhe president. Ai ishte i aftë me gjuhën, kuptoi strukturat, kuptoi politikën dhe ishte shumë i aftë. Kur mori pushtetin, kanë filluar problemet sepse ai erdhi me një koncept që partia është mbi qeverinë. Partia ishte më e fortë se qeveria. Problemi më i madh ishte koncepti i kontrollit. Sali Berisha ka kuptuar një gjë shumë mirë. Frikën. Ka kuptuar si përdoret frika e shqiptarëve. Pas Enver Hoxhës, frika ishte në zemër të shqiptarëve dhe ai e kuptoi këtë dhe e ka përdorur, të nxisë frikë. E kam parë me sytë e mi dhe në fakt ishte një tragjedi dhe Shqipëria ende po vuan pasojat.
Roli i amerikanëve në Shqipëri
Unë nuk e kuptoj mirë pse e kanë mbështetur të huajt Berishën. Sa fort. Pa diskutim ai ishte president, ai ishte forcë e rëndësishme dhe ka merituar mbështetje të Amerikës, por pa kufi ishte e rrezikshme. Përshembull, erdhën problemet me të drejtat e njeriut në vitin 1993-94. Nuk kanë folur amerikanët, nuk e kanë kritikuar hapur. Unë kam biseduar për këtë me ambasadorin Ryerson dhe Chris hill, diplomatët e atëhershëm. Pse nuk i keni folur për këtë, pse nuk e keni kritikuar? Më thanë: E dini, Shqipëria ishte në fillim të tranzicionit, demokracia ishte e brishtë dhe ka nevojë për një proces, demokracia është një rrugë e gjatë. Kjo për mua ishte një gabim. Ishte një gabim i madh sepse Berisha e ka interpretuar këtë si një dritë jeshile, sepse ka provuar diçka, përshembull, ka futur Fatos Nanon në burg dhe nuk ka marrë kritika, pastaj gazetarët në burg, ose janë rrahur gazetarët. Për mua ishte tragjike por ka edhe arsye për këtë.
Amerikanët nuk e kanë njohur Shqipërinë mirë dhe kjo është e kuptueshme. Marrëdhëniet diplomatike ishin prishur. Tjetra është se ishte një dramë pas Luftës së Ftohtë, Shqipëria që hapej për gjithë botën pas errësirës së komunizmit dhe ishte një analizë shumë e simplifikuar, se tani kemi demokratët e mirë dhe mund të punojmë me këta. Arsyeja e tretë ishte rajoni dhe kjo është më e rëndësishmja sepse Ëashingtoni nuk është interesuar vetëm për Shqipërinë, por për shqiptarët në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni. Frika e atëhershme ishte lufta në Bosnje dhe ardhja e Luftës në Maqedoni ose në Kosovë. Në Ëashington kanë patur nevojë jo për nacionalizmin shqiptar por për një moderim dhe Sali Berisha ishte mirë për këtë, dmth, ju jeni president por ju lutem mos bëni probleme jashtë kufijëve.
Ëashingtoni ka mbështetur lider dhe jo institucione sepse ka një shprehje në anglisht “He is our man” (Ai është njeriu ynë.) Pra, e marrim në telefon dhe i themi se kemi nevojë për këtë dhe këtë. Institucionet janë më të vështira. Kjo ishte një gabim
Shqipëria në ditët e sotme ka nevojë për një opozitë të fortë. Çdo vend dhe qeveri ka nevojë për opozitën që bën kritika dhe monitorues të qeverisë, por për fat të keq unë kam frikë se Sali Berisha është ende ai njeriu destruktiv. Unë nuk e besoj se ai ka në interes vendin dhe zhvillimin e demokracisë por ka interesat e veta, ndoshta politike ose të tjera.
Edi Rama
Rama është pak nga të dyja, artist dhe politikan por me siguri është politikan. Për atë estetika është e rëndësishme dhe ndoshta pak e tepruar, pra ,si duket, por jo si është. Sa për rilindjen, ka diçka po jo tamam rilindje. Rilindja ishte një frymë tjetër . Ka diçka tjetër por problemi më madhor është se sistemi vazhdon edhe korrupsioni është shumë brenda sistemit dhe është në kulturë, në kulturën e jetës politike, ky është problemi. Ka një qëndrim më të hapur mendoj unë, por kultura e mbyllur me lider të fortë ende vazhdon.
Lulzim Basha:
Nuk e njoh mirë zotin Basha por kam përshtypjen se zoti Berisha është akoma shumë i fortë në parti dhe nëse është e mundur ai do të vijë sërish në pushtet, në mos direkt, si influencë.
Ndryshimet e Shqiperisë 1990-2015
Ndryshimet janë shumë të mëdha. Jo vetëm sipërfaqësore, restorante, pallate të mira por në gjithë aspektet e shoqërisë. Por jo të gjitha janë mirë. Njerëzit kanë humbur shpresën, kjo është fatkeqësi e madhe. Kur erdha unë për herë të parë në vitin 1993 ka qenë shpresa e madhe, për demokraci dhe për të ardhmen. Sot e kanë humbur njerëzit shpresën. Janë shumë cinikë kundrejt politikës. Dhe politikanët janë cinikë shumë dhe për mua është një fatkeqësi.
Diskutime rreth kësaj post