Rreziku nga terrorizmi, Brukseli “anulon” vitin e ri
Në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, nuk do të ketë fishekzjarre dhe festime të tjera natën e ndërrimit të viteve, për shkak të rrezikut nga sulmet terroriste.
Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri belg, Charles Michel, i cili tha se vendi është marrë pas informacioneve për sulme të mundshme terroriste natën e ndërrimit të viteve.
Po ashtu edhe kryebashkiaku i Brukselit, Yvan Mayeur, foli mbi vendimin për të anuluar festimet të enjten, duke thënë se ai është marrë pas një takimi që ai ka pasur edhe me Ministrin e Brendshëm.
Një ditë më parë, dy persona janë arrestuar nga forcat belge të policisë, nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Bruksel në vigjiljen e ndërrimit të viteve.
Belgjika vazhdon të mbetet në gjendje gatishmërie të lartë ndaj sulmeve terroriste, që prej ngjarjeve të dhunshme të 13 nëntorit në Paris. Një pjesë e mirë e organizatorëve të dhunës në kryeqendrën e Francës, bazat e tyre i kishin në Belgjikë.
Pas këshillës së OCAM (Organit të Koordinimit për Analizën e Kërcënimeve); Yvan Mayeur, kryebashkiaku belg vendosi që të anulojë festat dhe fishekzjarret të parapara në Bruksel për Vitin e Ri.
Kjo nuk është hera e parë që Belgjika merr një vendim për të anuluar festivitetet për shkak rreziku nga terrorizmi. Më 2007, kryebashkiaku i atëhershëm Freddy Thielemans kishte marrë vendim, pas një mbledhjeje në koordinim me “Qendrën e Krizave” të Ministrisë së Brendshme belge, që fishekzjarret në Bruksel të anuloheshin. Atëherë, bëhej fjalë për një alarm terrorist i lajmëruar më 21 dhjetor, pasi ndaluan 14 persona të lidhur me një projekt që kishte të bënte me nxjerrjen nga burgu Nizar Trabelsin, ish futbollistin Tunisian, i lidhur me organizatën terroriste Al-Qaeda.
Diskutime rreth kësaj post