Qau para Merkelit, familja e palestinezes merr leje qendrimi
Familjes së adoleshentes palestineze, e cila bëri bujë mediatike pasi qau gjatë një takimi me kancelaren gjermane, Angela Merkel, iu dha leje qëndrimi, njoftoi sot gazeta më e shitur gjermane ”Bild”.
”Reem Sahlwil, e cila qau pas një dëbimi të mundshëm të familjes së saj në Liban, do të mund të qëndrojë në Gjermani deri në tetor 2017”, tha gazeta.
Në korrik, kancelarja gjermane, Angela Merkel provokoi një debat të ashpër lidhur me trajtimin e një vajze palestineze, e cila u ballafaqua me lideren gjermane për shkak të frikës mbi dëbimin e mundshëm të familjes së saj nga Gjermania.
Kancelarja ishte në qytetin verior të Rostokut për një takim me nxënësit, kur një vajzë palestineze me emrin Reem, i shpjegoi se familja e saj përballej me një largim të mundshëm nga Gjermania nëse kërkesa për azil i refuzohej.
“Është me të vërtetë e vështirë të shikosh se të tjerët janë në gjendje të gëzojnë jetën e tyre dhe ti vetë nuk je në gjendje të gëzosh me ta”, i tha Reem kancelares me një gjermanishte të rrjedhshme duke shtuar se dëshira e saj më e madhe ishte të studionte në universitetet gjermane.
“Politika ndonjëherë është e rëndë”, iu përgjigj Merkel.
“Ju jeni një fëmijë jashtëzakonisht i këndshëm, por ju jeni e vetëdijshme se në kampet e refugjatëve palestinezë në Liban ka mijëra e mijëra njerëz. Nëse ne u themi tani se ju të gjithë mund të vini këtu… atëhere ne nuk mund ta menaxhojmë dot këtë situatë”, tha kancelarja.
Sapo Reem filloi të qajë, Merkel iu afrua duke i përkëdhelur kokën dhe i tha se ajo kishte bërë një punë të shkëlqyer.
Diskutime rreth kësaj post