Shqiptarët këmbëngulin për azil në Gjermani, kosovarët heqin dorë
Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të Shqipërisë që kanë aplikuar për azil në Gjermani gjatë vitit 2015 arriti në gati 53 mijë vetë në nëntor të këtij viti, me 3 mijë aplikantë të shtuar vetëm gjatë muajit nëntor, bëhet e ditur nga statistikat mujore të publikuara nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë.
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve gjermane për të bindur shqiptarët se kërkimi i azilit politik nuk ndihmon për emigrimin në këtë vend, të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm shqiptarësh vijojnë të besojnë te ëndrra gjermane.
Emigrimi nga Shqipëria nisi këtë herë në masë në janar 2015, kur 1,648 vetë nga Shqipëria aplikuan për azil në Gjermani me besimin se do të mund të emigronin. Në mars kërkesat u rritën në mënyrëdramatike ndërsa në prill, qeveria gjermane dhe ajo shqiptare bënë përpjekjet e para për të bindur shqiptarët për të mos aplikuar.
Vala e emigrimit nga Shqipëria shënoi kulmin në gusht me 8300 aplikime, para se të fillonte të ulej.
Në shtator, qeveria gjermane organizoi disa kthime demonstruese të aplikantëve të refuzuar, por numri i të kthyerve mbeti sërish shumë më i ulët se sa numri i largimeve.
Aktualisht nuk është e qartë se sa prej azilkërkuesve janë kthyer në atdhe pas aventurës gjermane, por numri i lartë i largimeve dyshohet se sakaq ka shkaktuar rënie të konsiderueshme të importeve konsumit në Shqipëri. Të 53 mijë të larguarit përbëjnë afërsisht 1.8 për qind të popullsisë në vend.
Kosova pati një eksperiencë edhe më dramatike se sa Shqipëria. Për shkak se kosovarët nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, udhëtimi i tyre drejt Gjermanisë kaloi përmes vuajtjeve të stërmëdha ku familje të tëra udhëtuan drejt Serbisë së veriut me autobuzë dhe kapërcyen kufirin me Hungarinë më këmbë para se të mund të merrnin një tren apo makinë nga Hungaria për në Gjermani.
Vala e madhe e emigrimit të kosovarëve drejt Gjermanisë nisi në fund të vitit të kaluar dhe shënoi kulmin në mars 2015 kur brenda një muaji, gati 12 mijë vetë hynë ilegalisht në zonën Shengen për t’i regjistruar si azilkërkues. Në total, statistikat gjermane tregojnë se nga janari deri në dhjetor të këtij viti, 36 mijë kosovarë, afërsisht 2.1 për qind e të gjithë popullsisë së vendit shkoi në Gjermani.
Edhe vendet e tjera të rajonit u përballën me një valë të tillë migratore por në përmasa më të vogla.
Gjatë periudhës janar-nëntor, në Gjermani u regjistruan si azilkërkues 26 mijë serbë nga një popullsi prej 7.1 milionë banorësh ndërsa nga Maqedonia ikën afro 14 mijë vetë nga një popullsi prej 2 milionë banorësh.
Shqipëria dhe Kosova mbajnë vendin dy dhe tre në listën e vendeve që kanë prodhuar më shumë azilkërkues në Gjermani këtë vit, duke u renditur vetëm pas Sirisë, vendi që aktualisht gjendet prej pesë vitesh në luftë të përgjakshme civile.
Numri total i të larguarve nga Shqipëria gjatë këtij viti është më i lartë se kaq për shkak se një numër më i vogël shqiptarësh kanë kërkuar azil në vende të tjera të BE-së, si Franca, Suedia apo Danimarka, të cilat nuk raportojnë të dhëna të detajuara mujore si Gjermania.
Shkaqet që i çuan shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës të emigrojnë në masë mbeten të paqarta.Emigrantët e intervistuar në raste të ndryshme kanë dhënë motive të tilla si: mërzia me vendin dhe mungesa e shpresës për përmirësim të pritshëm në të ardhmen e afërt, formëzimi i bindjes se asgjë nuk ndryshon me ndryshimin e qeverive për shkak se klasat politike janë njësoj, pakësimi i mundësive për emigrim sezonal në Greqi dhe Itali si pasojë e krizës së thellë ekonomike në këto dy vende apo thjeshtë dëshira për t’ia hedhur sistemit dhe për të marrë përfitime asistence sociale si azilkërkues në Gjermani.
Cilatdo qofshin arsyet, emigrimi po pakëson ndjeshëm popullsinë në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë në Ballkan, duke hequr nga ky rajon popullsinë e re dhe vitale dhe duke thelluar vështirësitë ekonomike dhe demografike që janë përjetuar përgjatë 25 viteve të fundit.
Diskutime rreth kësaj post