Në kuadër të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Paradën e Shqiptarëve në Tiranë, sot po marrin pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet.
“Parada kuqezi” nisi nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe po përshkon bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”, ku do të zhvillohet ngritja e flamurit shqiptar.
E kthyer tashmë në një traditë në New York, shqiptarët nga e gjithë bota të veshur kuq e zi dhe me veshje popullore mbushën sot rrugët e Tiranës.
Nën ritmin e muzikës shqiptare pjesëmarrësit krijuan një atmosferë festive.
Të pranishëm në paradë janë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Pjesë e paradës janë përfaqësues nga 150 qytete, delegacione nga bashki dhe komuna shqiptare, bashkë me ansamblet e tyre.
Në të dy anët e bulevardit, janë edhe qytetarë të shumtë për të ndjekur nga afër paradën. Parada u organizua nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me shoqatën “Albanian Roots”.
Diskutime rreth kësaj post