Pesë vjet pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin, gjurmët e fatkeqësisë mbeten ende të dukshme në Durrës. Përtej kësaj, procesi i rindërtimit ka sjellë përmirësime në infrastrukturën shkollore, kurse shumë familje kanë hyrë në shtëpitë e tyre të reja. Megjithatë, ka ende qindra familje që janë në pritje.
Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të dëmtuar nga tërmeti jetojnë ende në shtëpi me qira, në pritje të përfundimit të punimeve ose të zgjidhjeve të tjera nga autoritetet.
Disa kanë marrë çelësat e apartamenteve përmes shortit publik të organizuara nga bashkia, por nuk kanë mundur ende të transferohen në to për shkak të vonesave a problemeve teknike në ndërtimet e reja.
Përveç sfidave materiale, traumat dhe pasojat emocionale të asaj nate të frikshme mbeten të freskëta. Tërmeti i nëntorit 2019 shkaktoi jo vetëm humbjen e shumë jetëve, por edhe shkatërrimin e shumë objekteve.
Edhe pse Durrësi është ringritur në shumë aspekte, për të prekurit nga tërmeti, procesi i shërimit është ende larg.
E ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet për të përmbushur premtimet e bëra, qytetarët shpresojnë për një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme.
Diskutime rreth kësaj post