Përmes zëdhënëses së antikorrupsionit, Genta Vangjeli, Partia Demokratike, i ka bërë thirrje SPAK-ut të hetojë procedurat e shpalljes si investitor strategjik nga Qeveria të ish-nënkryetarit të Bashkisë së Vorës, Hekuran Brahimaj dhe Turjan Hyskos, vëllai i ish-deputetit socialist dhe kryetar i FRESSH, Elio Hyskos.
Vangjeli tha se; “edhe pse me një ritëm jo shumë të suksesshëm në biznes duke pasur parasysh se nga 7 biznese të regjistruara në dhe pas vitit 2021, 5 prej tyre janë në likuidim e sipër, ky fakt nuk e pengoi Edi Ramën i cili ka plane të tjera të ndryshme nga zbatimi i ligjit që të miratonte statusin e veçantë të investitorit strategjik për eksponentin e Partisë Socialiste”.
“Me anë të Vendimit të komitetit strategjik nr. 9, datë 23 Korrik 2024, Edi Rama miratoi në parim masa mbështetëse për vënie në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore me sipërfaqe prej 76,950 m2, në ZK.2518, e zërit kadastral ‘ullishte’ dhe ‘pemtore’.
Investimi parashikohet me vlerë 50 milion euro.
Projekti prek një sipërfaqe prej 41,915 m2 në pronësi ‘private’ të subjekteve aplikuese, gjithashtu një sipërfaqe prej 76,950 m2 në pronësi ‘shtet’. Ndërkohë, subjektet për një sipërfaqe prej 39,009 m2 janë ende në fazë negociatash me subjekte private.
Theksojmë se veprimet procedurale të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Bashkisë Himarë që i duhej me patjetër Edi Ramës pikërisht për këto arsye, si dhe Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) do të jenë në vëmendjen tonë.
Partia Demokratike kërkon nga SPAK të hetojë procedurën e ndjekur për këtë investim strategjik i cili do të përfshijë tokë shtetërorë dhe private duke zbardhur dhe burimin e të ardhura të ligjshme për implementimin e këtij projekti”, thuhet në deklaratë.
Diskutime rreth kësaj post