“Sikur të realizoheshin vetëm një pjesë e parashikimeve të errëta të presidentit serb Aleksandër Vuçiç tani ndoshta do të jetonim si në epokën e pasluftës pas Luftës së Dytë Botërore”. Kështu e nis artikullin e saj media serbe “Nova.rs”, ku shkruan se presidenti Vuçiç shpesh i përdor fjalimet e tij në media për të parashikuar ngjarje në të ardhmen, të cilat janë të errëta dhe të pasigurta, ndaj mund të dëgjojmë prej tij se si na pret një dimër i ftohtë, mungesë rryme, uri, një e ardhme e pasigurt, etj. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç artikuloi profecinë e tij të fundit gjatë vizitës së tij në Gjenevë, ku foli për reaktorët e modelit bërthamor pa të cilët nuk do të mund të prodhojmë energji elektrike. Pastaj ai tha: “Po ju lutem të shihni se çfarë mund të bëjmë për të mbijetuar.” Megjithatë, nuk u ndal vetëm këtu.
“Frika” e Vuçiçit
Vuçiç tha për TV Pink, duke komentuar shkrimin e gazetës Politiko, e cila mirëpret politikën e tij konsistente kur bëhet fjalë për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, se nuk është një politikë e thjeshtë, por se ai nuk dëshiron të bëjë politikë siç e dikton Perëndimi. “Unë nuk e kam problem me fjalorin e Perëndimit, por kur na detyrojnë me sanksione, nuk dua ta udhëheq atë politikë”, tha Aleksandër Vuçiç. Ai vlerësoi se do të jetë një javë e vështirë për të gjithë, sepse presidenti i Ukrainës do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. “E pashë tekstin e Deklaratës, do të na kërkojnë të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Do të jetë një javë e vështirë për ne në atë front, nuk e di nëse e kemi konfirmuar që po marrim pjesë. Do të ketë dhimbje këtë javë. Edhe për ne edhe për ata”, tha Vuçiç.
Thirrja e Zelensky-t
Kroacia do të presë një samit të liderëve të Ballkanit për Ukrainën nesër, ku do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, njoftoi të enjten kryeministri Andrej Plenkoviç. Samiti do të zhvillohet të mërkurën në Dubrovnik. Qëllimi i takimit është mbledhja e mbështetjes rajonale për Ukrainën në luftën e saj për liri, deklaroi Plenkoviç gjatë një seance qeveritare. Ky samit vjen pas samitit “Ukrainë-Evropa Juglindore” mbajtur në Tiranë, Shqipëri, në shkurt, ku Zelensky kërkoi mbështetje më të madhe për përpjekjet mbrojtëse të Ukrainës.
Samiti i Dubrovnikut vjen po ashtu mes një mosmarrëveshjeje të brendshme midis qeverisë së Plenkoviç dhe presidentit Zoran Milanovic, i cili kohët e fundit refuzoi të mbështesë dërgimin e oficerëve kroatë për të trajnuar ushtarët ukrainas në një mision të NATO-s në Gjermani. Milanoviç, pavarësisht se ishte komandanti suprem i vendit, e kundërshtoi masën, duke përmendur shqetësimet për tërheqjen e Kroacisë në luftë. Plenkoviç u bëri thirrje ligjvënësve të rrëzojnë vendimin e presidentit, i cili kërkon një shumicë prej dy të tretash në parlament.
Vendosja e sanksioneve
Serbia është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës. Megjithatë, as nuk ka ndërmend ta ndryshojë këtë, të paktën me dëshirën e saj. Gjatë një takimi me presidentin rus Vladimir Putin para rreth një muaji në Vladivostok, zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin deklaroi se Serbia, nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiçit, nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s dhe nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të lejojë kurrë ndonjë aksionet anti-rus të kryhet nga territori i saj. “Serbia nuk është bërë dhe nuk do të bëhet pjesë e histerisë anti-ruse”, tha Vulin. Ai shtoi se Serbia e respekton Rusinë dhe Forumi Ekonomik Lindor është dëshmi se sa e gabuar dhe marrëzi është të përpiqesh të izolosh Rusinë. Serbia deri më tani i ka rezistuar thirrjeve të perëndimit dhe kjo ka acaruar jo pak anëtarë të BE-së. Edhe në Bruksel, duket se është krijuar tashmë përshtypja se Vuçiç është dorëzuar pasi siç ia kanë bërë të qartë jo pak zyrtarë të BE-së, në rast të kundërt do të përballej me bllokim të negociatave për anëtarësim.
Diskutime rreth kësaj post