Kultura e pandëshkueshmërisë dhe paprekshmëria e personazheve të profilit të lartë politik në vendin tonë, tashmë është një përrallë e bukur e së shkuarës dhe kjo gjë po arrihet falë amerikanëve dhe Brukselit, të cilët kanë investuar gjithë këto vite për një sistem drejtësie të pavarur në mënyrë që Shqipëria të jetë gati për t’u integruar në Bashkimin Europian. Me goditjet e SPAK nga të gjitha anët, sa majtas-djathtas, por edhe personazhe “VIP” të krimit, situata aktuale në vendin tonë paraqet një sfidë të madhe për Edi Ramën, i cili duket se është në një pozicion të vështirë, përballë presionit ndërkombëtar dhe sfidave të brendshme.
Mbyllja e dyerve, paralajmërimet dhe ultimatumet e ashpra nga SHBA dhe BE tregojnë se komuniteti ndërkombëtar është i vendosur në mbështetje të reformave dhe se çdo përpjekje për t’i minuar ato do të ketë pasoja të rënda për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Rama vijon të këmbëngulë te komisioni Antikorrupsion, i njohur shkurt si komisioni “Xhafaj”, i cili dyshohet se po e përdor për të goditur SPAK dhe këtë fakt e kanë treguar reagimet e ndërkombëtarëve që pasqyrohet edhe te qëndrimi i SPAK, i cili e ka bojkotuar si nismë. SHBA dhe BE e kanë hedhur poshtë këtë komision, mbi mënyrën se si ai po funksionon. Madje dhe organe të tjera të drejtësisë në vendin tonë, si Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, apo dhe Gjykata Kushtetuese kanë dalë kundër planeve të Ramës.
Qëndrimi i Brukselit
Ditët e fundit, Bashkimi Evropian ka qenë shumë i ashpër dhe i prerë ndaj qeverisë “Rama”. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato ia bëri të qartë Ramës se Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas. Gjithashtu Gonzato, vuri theksin tek zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti. Pra BE i dha një shuplakë Ramës për mandatin e Xhaçkës, ku qeveria doli kundër Kushtetueses. “Vendimet e Gjykatës kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ato dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik. Për reformën në drejtësi parlamenti mund të lozë një rol kyç për mos kthimin pas të reformave por për të implementuar më tej, në harmoni reformat me të gjitha detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e BE-së. Këto reforma shoqërohen nga përpjekja për të parandaluar korrupsionin e krimin e organizuar e krimin në qeveri. Komisioni i Antikorrupsionit që ju keni themeluar tashmë është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim,” tha Gonzato.
Po ashtu një tjetër goditje për Edi Ramën nga BE ka qenë edhe për investimet strategjike të firmosura nga vetë kryeministri. Kreu i delegacionit të BE në Tiranë Gonzato, në një intervistë për mediat shqiptare në datë 28.09.2924 është shprehur se : “I ashtuquajturi “ligj I investimeve strategjike” I jepet status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjik, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit”. Gonzato kërkoi pak ditë më parë Ramës dhe rezultate të prekshme për uljen e korrupsionit, ku i specifikoi si kusht për të ecur përpara në anëtarësimin në BE.
Në fjalën e tij në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, ai tha se BE pret që puna e qeverisë për strategjinë anti-korrupsion 2024-2030 të përfundojë sa më shpejt dhe të miratohet. Po ashtu Gonzato theksoi domosdoshmërinë e zbatimin e plotë të kësaj strategjie, në veҫanti në sektorë me rrezik të lartë si Kadastra, Administrata Tatimore, Dogana, Prokurimi Publik, arsimi dhe shëndetësia. Ambasadori i BE u shpreh se një shoqëri civile e pavarur, e fortë, e fuqizuar dhe e cila arrin të angazhohet në dialog konstruktiv me institucionet publike dhe bizneset është një element kritik për luftën kundër korrupsionit.
Rama “bllokadë” totale nga SHBA
Përveç ultimatumit të BE, qëndrimet e amerikanëve kanë qenë edhe më të prera dhe këtë gjë e tregoi vizita e fundit disa ditore e Ramës në Neë York, e cila zbuloi përfundimisht se marrëdhëniet midis kryeministrit shqiptar dhe SHBA janë në nivelin më të ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë një kryeministër në raport me të vetmin aleat strategjik në 30 vitet e fundit. Asnjë zyrtar i lartë nga administrata e Joe Biden nuk e “qasi” në derë. Gazetari Robert Papa zbuloi se Rama nuk pati asnjë takim të nivelit të lartë nga amerikanët. Madje kryeministri nga dëshpërimi tentoi të shiste si takim një foto me Joe Biden. Figura e madhe e liderit global është rrudhur e tkurrur dhe mbahet me patericat e Aleks Soros, i cili duket që i ka mbetur besnik pasi edhe me këtë personazh zhvilloi një takim në SHBA. Situata e Ramës është komplekse, e vështirë dhe problematike.
E themi se është situatë e vështirë pasi lideri shqiptar prej dy vitesh dhe në vizitën e tij të fundit ka shitur si sukses vizitat në fondacionin e Bill Clitnonin dhe prej kësaj kohe nuk ka takuar as portierin e Departamentit të Shtetit të SHBA, jo më ndonjë drejtor zyre apo burokrat të kësaj strukture. Pra mbyllja e dyerve nga SHBA dhe reagimet e ashpra nga BE tregojnë se këto institucione kanë arritur në një pikë të rëndësishme vendimmarrjeje. Reagimi i tyre mund të jetë një sinjal i qartë se ata nuk do të tolerojnë përpjekjet për të sabotuar reformat që kanë mbështetur. Ultimatume të ashpra sugjerojnë se situata ka arritur një nivel të tensionit ku pasojat mund të jenë të rënda, jo vetëm për Ramën, por për të gjithë vendin.
Diskutime rreth kësaj post