Gazment Bardhi ka reguar pasi Sekretariati i Etikës e përjashtoi me 60 ditë nga Kuvendi pas kaosit që u krijua në seancën e fundit parlamentare.
“Këta të fusin në burg pa ligj e prova, jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi pa ligj e prova”, është shprehur Bardhi përmes një reagimi në “X”.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së thotë se përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama.
Ndër të tjera ai ka paralajmëruar që opozita do të vijojë aksionin, ndërsa i drejtohet kryeministrit duke i thënë “përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit”.
“Këta të fusin në burg pa ligj e prova, jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi pa ligj e prova. Përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama! Përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit! Asaj salle krimi i ke vënë zjarrin!
Fshihu e shmangu sa të duash, përjashto, burgos e përndjek sa të duash, fatin tënd nuk e ndryshon dot! Atë ta ka përcaktuar shumica dërrmuese e shqiptarëve që përbuzin ngritjen e krimit të organizuar në qeverisje dhe shndërrimin e institucioneve në banda kundër opozitës”, thotë Bardhi në reagimin e tij.
Sot, pas një mbledhje të gjatë, Sekretariati i Etikës ka marrë vendimin që të përjashtojë me 60 ditë nga punimet e Kuvendit tre deputetët e PD, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati.
Ndërkohë deputeti tjetër, Edi Paloka u ndëshkua me 10 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit, ndërsa të tjerët me 40 ditë.
Diskutime rreth kësaj post