Në mbledhjen e këshillit Kombëtar të PD, kreu i kësaj partie Sali Berisha tha se Ervin Salianji, një politikan që nuk ka qenë kurrë në pushtet, u burgos se guxoi të bëjë detyrën e tij
Berisha: Të dashur anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, drejtues kryesorë të kësaj partie. Të dashur anëtare e anëtarë të PD, qytetare e qytetarë shqiptarë. Sot, Këshilli Kombëtar i PD mblidhet në një mbledhje emergjente, të lidhur me fatin e demokracisë, fatin e pluralizmit dhe sovranitetit të kombit shqiptar. Prej dy ditësh, Shqipëria nuk është më ajo që ishte.
Pas 34 vitesh, në Shqipëri është rikthyer e plotë hija e zezë e narkodiktaturës, diktaturës që ka zëvendësuar shtetin ligjor me kodin e mafies. Diktaturës të bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Çdo shqiptar, çdo prind, çdo baba, çdo nënë, çdo vëlla dhe çdo motër, çdo i ri dhe çdo pensionist, njerëzisht mendoj se duhet të dëgjojë këtë mesazh për të kuptuar rrezikun e madh që i kanoset direkt fatit të tij dhe të njerëzve të tij më të dashur.
Dy ditë më parë, një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, një politikan në moshë të re, i cili e ka nisur karrierën e tij politike në opozitë. Një politikan që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur kurrë në dorë fonde publike apo qeveritar, u dënua me burg, iu hoq liria. U burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij.
Sepse guxoi të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve, konkretisht të denoncojë vëllazërinë Xhafaj, Geronin e saj, vëllain e Fatmir Xhafës, për trafik droge. Ervin Salianji pas këtij akti qytetar, pas këtij akti të guximshëm opozitar, pas kësaj mbrojtje që i bëri shtetit ligjor dhe Kushtetutës së vendit, pati si shpërblim hakmarrjen e verbër të vëllazërisë kriminale Xhafaj dhe vëllazërisë Rama, dëbimin dhe burgosjen për kallëzim të rremë.
Diskutime rreth kësaj post