Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, theksoi edhe njëherë që do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.
I ftuar në “Top News”, Basha theksoi se grupimi që ai drejton do të futet në zgjedhje me një listë prej 140 kandidatësh dhe se vet ai do të jetë pjesë e listës së hapur.
“Jemi në fazën e përfundimit të listës tonë të kandidatëve për deputetë. Besoj që brenda ditëve të ardhshme, javëve të ardhshme një emër jo i vogël kandidatësh do të bëhen publikë. Disa prej tyre kanë nisur tashmë dhe punën në terren. Natyrisht ky është një proces që po ndodh në bashkëpunim edhe me partitë e Harkut Opozitar Eroatlantikë, sepse do të jetë një listë e konsoliduar.
Konsensusi i deritanishëm i Kolegjit të Kryetarëve, i Kryesisë së Partisë, do të thoja edhe i Këshillit Kombëtar, por që do të marrë formë përfundimtare së shpejti, është që të shtymë përpara me rekursin, me ankimimin që kemi bërë në Gjykatë Kushtetuese kundër mbylljes së listave nga Edi Rama dhe Sali Berisha. Por në çdo rast të konkurrojmë me lista të hapura.
Pra përmes lëvizjeve tona, do të pamundësojmë listën e mbyllur të Demokratëve Euroatlantikë, të Harkut Opozitar Eroatlantikë dhe do të garojmë me 140 kandidatë në lista të hapura. Unë vet do të jem në listën e hapur dhe renditja do të jetë alfabetike”, u shpreh Basha.
Ai gjithashtu shtoi se Sali Berisha e ka dashur për ta përdorur si mburojë kundër SPAK dhe kjo u pa në protestën e thirrur para disa javësh kur i’u komunikua akuza. Sipas tij, Berisha jo vetëm që nuk përbën shpresë por nuk arrin dot as të ngrihet në këmbë për të bërë minimumin e detyrës për të cilën u thirr një protestë për të mbrojtur të parin e saj.
“Është e qartë besoj që javën e kaluar për çdo demokrat, edhe për ata që në mënyrë më fanatike shkuan pas zotit Berisha, që ajo që kam paralajmëruar para 3 vitesh doli e vërtetë. Zoti Berisha Partinë Demokratike e ka dashur për ta përdorur si mburojë kundër SPAK, si mburojë kundër përcaktimeve të tij si non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Dhe kjo u duk qartë në thirrjen e protestës para SPAK ditën kur iu komunikua akuza.
Siç duket qartë që ajo pjesë e PD që zoti Berisha pretendon të përfaqësojë, tashmë është e shkalafitur, e shkatërruar. Jo vetëm që nuk përbën shpresë, por nuk arrin dot as të ngrihet në këmbë për të bërë minimumin e detyrës për të cilën u thirr një protestë për të mbrojtur të parin e saj.
Kjo nuk është Partia Demokratike që meritojnë shqiptarët, kjo nuk është Partia Demokratike që meritojnë demokratët. Shqiptarët dhe demokratët meritojnë një Parti Demokratike, një parti opozitare, një koalicion opozitar i cili nuk ekziston, nuk frymon për hallet e të parit të vet, por për hallet e qytetarëve që nuk bëjnë opozitë fallco, por ditën siç e thashë bashkon votat me Ramën, e natën bën pazare me Ramën, ndërsa në ekrane bën sikur sulmon Ramën. Por që ka një alternativë të qartë të besueshme për ta nxjerrë vendin nga qerthulli i krizave të njëpasnjëshme që ka prodhuar keqqeverisja e korruptuar e Edi Ramës.
Dhe ne jemi pikërisht në rrugë të formësimit të një alternative të tillë dhe thirrjes ndaj qytetarëve shqiptarë për të braktisur një herë e mirë duopolin e Edi Ramës dhe Sali Berishës dhe për të zgjedhur për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për familjet e tyre një rrugë të re me një program i cili u përgjigjet nevojave të tyre dhe me deputetë, me kandidat për deputetë të cilët e kanë provuar, e vepra jo me fjalë të cilët kanë vënë interesin publik, interesat e qytetarëve mbi interesat e tyre të ngushta personale”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post