Mediat italiane po i kushtojnë një vëmendje të veçantë shtyrjes së vazhdueshme të hapjes së kampit të refugjatëve në Gjadër. I fundit që i ka dhënë hapësirë kësaj çështjeje është emisioni i njohur “Piaca Pulita” në televizionin La7. I pyetur për vonesat kryeministri Edi Rama thotë se i gjithë operacioni është në dorë të palës italiane.
“Konkretisht dhe çdo gjë tjetër janë llogari që i bën qeveria italiane. Shqipëria nuk ka asnjë kosto. Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore. Shqipëria ka dhënë gatishmërinë e saj të mikpresë, për atë që është një operacion italian në një territor që do të menaxhohet komplet nga Italia”.
Rama thotë se marrëveshja në fjalë është diskutuar gjatë përpara finalizimit.
“Nuk ishim në plazh duke parë yjet dhe romantikisht doli kjo ide. Ishte ndryshe. Ka pasur një diskutim më herët”.
Mohoi që këtë verë të kishte pasur një takim me kryeministren italiane dhe shpjegoi sërish raportin e tij të mirë si një kryeministër i majtë me një përfaqësuese të së djathtës ekstreme, si Meloni.
“Kush e njeh nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të. Ajo është një person shumë e vërtetë dhe shumë e drejtpërdrejtë. Nuk ka rëndësi nëse kryeministri i Italisë është i djathtë, i majtë, demokristian apo legist apo çfardoqoftë. Është kryeministri i vendit më afër nesh, më mik me të cilin Shqipëria është e lidhur përjetësisht. Për mua ideologjitë kanë vdekur kur ka rënë muri i Berlinit”.
Rama foli edhe për vizionin e tij për të ardhmen e Shqipërisë.
“Kur më pyesin si do të jetë Shqipëria e së ardhmes, dhe ka shumë nga ata që mendojnë se një ditë ne do të jemi si Gjermania unë ju them shikoni Italinë. Ajo është Shqipëria e së ardhmes”.
Edhe në një intervistë që pati një ditë më parë për rrjetin televiziv Euronews, Rama përsëriti se marrëveshja me Italinë për emigrantët nuk do të përsëritet me asnjë vend tjetër.
“Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar”
Për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për pritjen e emigranteve, shfaqi interes edhe kryeministri britanik Keri Starmer gjatë vizitës që zhvilloi në Itali.
Diskutime rreth kësaj post