Nga; Fjolla Spanca
Në kërkim të grimcave njerëzore, jam nisur drejt një qoshku ku kafeja shërbehet sojshëm dhe ku për shpirt, mund të flasësh kollaj me miqtë e tavolinës. Sot, takohem me një mikeshë të moçme që fati sa i ka buzëqeshun, po aq e ka trazuar. Me t’u parë, rrokemi qafesh dhe pastaj shpalosim gjithë qejf pyetjet me e pa përgjigje! Derisa flasim, papritun, ajo shikon dy miq, drejt së cilëve hidhet me mall. Me njërin flet lirshëm, kurse tjetri e kupton por i gjegjet në gjuhë “të huaj”. Unë, vazhdoj e kundroj, tanë habi.
Një nga dy burrat, duket se i ka rrumbullakosur të 70-tat anise lëvizjet i ka të lehta, prej maratonomaku. Tjetri, një meso burrë, gjentil dhe shakator, me kujdes të epërm, e mbërtheu të voglin e mikes time. Qeshin burrat dhe lozin me foshnjën që sapo i ka çelur sytë. Tani, në horizont duke edhe babai i shoqës sime dhe për mua, peisazhi është mëse i qartë: duhet të jenë shokët e ngushtë të zotni R.
Në këtë moment, më duket se ka ardhë koha me i përshëndet. Afrohem dhe ata me flasin përzëmërsisht. “Lermë të të prezantoj, – më thotë ajo. “M. dhe A. janë shokët e përjetshëm të babit! M. jeton andej ure. Shqipen e kupton goxha mirë. Flet tek-tuk. Kurse A. është prej këndej. Babin, e njeh. Qeshet. “Të tre, njihen prej vitesh. Kanë qenë krahu i njëri – tjetrit, veçmas në ditë të serta! Në e mbanë mend, kur u dogja, atë vjeshtë në jug të qytetit nuk gjenim kund ilaçet e duhura. Infeksioni po me përhapej me shpejtësinë e erës dhe prindërve sikur u fikej jeta përditë e nga pak. Axha M. aso kohe mbushi një pako ineksione, kremra e melheme të tjera dhe i la tek furra e bukës, në krye të mëhallës, përksaj banesës së tij. Në muzg, babi vajti dhe i mori. Nuk donte ta rrezikonte as atë dhe as vetën. Janë të tre, të rrahur prej sfidave të jetës! Fati, nuk ka qenë kurrë i lehtë për ta!
Më ftojnë të ulem, rrotull së njejtës tavolinë. M., thotë se në veri jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë. “Fëmijët i mbaruan studimet por punë nuk ka! Djali i madh tashmë është shpërngulur në Europën Perëndimore. Gjatë verës, vetëm nipat i mbajmë këtu. Janë shumë të lidhur me axhën e tyre, djalin tim të vogël. Vajza jeton mes Mitrovicës dhe Beogradit. As këndej, as andej. Jemi mirë me shëndet, por të lodhur mendërisht. Frymojmë por nuk jetojmë. Kjo situatë është sfilitëse! – thotë M., teksa e përzien çajin me fruta mali. Ndërkaq, as për z. A jugu nuk ofron alternativa të dinjitetshme. “Djali me nusen po jetojnë në Prishtinë. Atje, duket sikur ka më shumë mundësi pune. Mitrovicën, politika e ka ngulfatur. Mirë për ne, se koha jonë iku; por më dhimbsen fëmijët! Po jetojnë kusuret e mëkateve të pasunarëve. Qyteti u është bërë i huaj!
Një baule plot kujtime nga qyteti i fëmijërisë sime
Në valixhen e cikërrimave të përjetshme, shpesh kam gërrmuar për të kuptuar se çfarë e bënte aq të magjishëm qytetin! Ç’mund të ishte vallë kaq përrallore në përkufizimin e një cope Toke si “qyteti im” ose foleja që meremetohet me shumë ëndrra, shpresë, mund e herë-herë edhe vegime!
Para ca kohësh, e pyeta arkitekten Mimi Kotorri, se si lidheshin rrënjët tona me qytetin, godinat, monumentet ose me drunjtë e mbjellur ndër breza?
Mimi më tha se përceptimi ynë lidhet ngushtë me mënyrën sesi ne dhe njerëzit tanë të afërt e kemi përjetuar qytetin! “Që në vogëli, ne mësohemi të njohim dhe të identifikojmë forma dhe ngjyra familjare, mësojmë të gjejmë lagjen tonë, parkun më të afërt, shtëpinë dhe objektet e shërbimeve që lidhen ngushtë me përditshmërinë. Kujtimet e banorëve janë të hershme, të larmishme, të pafundme dhe vazhdojnë të pasurohen e të trashëgohen brez pas brezi në trajta të ndryshme, duke i dhënë gjithkçaje të ngurtë jetë e gjallëri.”
Fjalët e arkitektes Kotorri më sollën ndërmend N.N., i cili prej vitesh punon pranë një organizatë jo-qeveritare në pjesën jugore të Mitrovicës.
“Unë jam lindur në ish-Jugosllavi, në kohën kur qe brumosur ideali i vëllazërisë dhe bashkimit dhe ku multi-etniciteti çmohej e vlerësohej e madje edhe jetohej si gosti. Pra, për mua, ky ishte imazhi që më lidhte me Mitrovicën, jo realiteti i hidhur i një qyteti të ndarë, çfarë është sot. Së dyti, ne, fëmijët e familjes tonë, jemi rritur nga prindër që besonin te parimet e larta! Për prindërit tanë, njerëzit ishin pesha e rëndëses, asnjëherë etnia. Respekti, ish normë dhe diversiteti, vlerë – më rrëfen N.
N., nuk është dorëzuar asnjëherë para sfidave që ia kanë zënë pritën ndër vite. Sipas tij, në nivel individual, përpjekjet për të përforcuar tabanin e një paqeje të mirëndërtuar dhe të qëdrueshme, nga ana e qytetarëve të veriut mbeten të vazhdueshme, anise ai mendon që banorët shpesh janë viktima të politikës, politikanëve, polarizimit dhe aksioneve populiste.
“Mitrovica si mikrokozmos”
Në fillet e viteve 2000 Mitrovica emërtohej shpesh si mikrokozmos për mbarë Kosovën. E tkurrur mes tensionesh e konfliktesh etnike, ajo as premtonte jetë më të mirë por as pranonte të vyshkej në errësirë. E megjithatë, matanë barrierave dhe refuzimit qysh atëherë jehuan zërat e qytetarëve mendjehapur; atyre që nuk ju dorëzuan “fatit” gri por u rrekën të rindërtonin Qytetin, përsëri.
Afërdita prej dy dekadash drejton njërën prej organizatave më në zë në mbarë Kosovën. CBM ose Community Building Mitrovica është organizatë lokale jo-qeveritare, e cila operon në fushën e paqes dhe ndërtimit të komunitetit në rajonin e Mitrovicës dhe në Komunat e Veriut të Kosovës. Qëllimi kryesor i CBM-it është të lehtësojë kontaktin dhe dialogun në mes të qytetarëve, pa dallim etnie. CBM-i ndër vite është formësuar në sajë të bashkëekzistencës ndëretnike, ogur i mbarë ky i qytetarisë së hapur dhe ndërgjegjës sipërore
Karakteristikë tjetër, thelbësore, për CBM-in që në themel ishte prania e theksuar e gravë në radhët e stafit. Fillimisht, për mua qe pak e çuditshme dhe shpesh pyesja veten, si i’a dalin t’i mbledhin rreth vetes kaq shumë gra në kohëra kaq të vështira? Esencialisht, kjo organizatë ka kontribuar mbi të gjitha në çeljen e mundësive të jashtëzakonshme për gratë e qytetit duke i përmbysur të gjitha paragjykimet dhe barrierat sociale arkaike
Andaj, për mua, e rëndësishme ishte të kuptoja se si i’a ka dalur CBM-i të mbahet gjallë për vite të tëra, kur e dijmë se situtat e ndërlikuara dhe shumë komplekse e kanë turbulluar qytetin e qytetarët, papushim.
“Çka na ka mbajtë ne si CBM me jetë deri tani?! Le të themi, në krye të herës ka qenë dashamirësia dhe mirënjohëja ndaj punës sonë nga ana e qytetarëve dhe përfituesëve të panumërt nga programet tona të vazhdueshme! Ata, pa dallim gjinie, etnie a besimi, kanë qenë motiv për punën tonë. Së dyti, vullneti i hekurtë që buron nga misioni dhe vizioni jonë për të ofruar një jetë më të mirë për qytetarët e Mitrovicës. Duke e lënë modestinë anash, më duhet ta them se për punën e CBM-it sot flitet ngado, me nota të larta vlerësimi e konsiderate, veçanërisht nga pjesëmarrësitë e aktiviteteve tona por edhe përfituesitë indirekt. Gjithashtu, e them lirshëm dhe me krenari se tashmë CBM-i është një shtëpi e madhe që mbahet gjallë nga parimet e larta të qytetarisë, demokracisë e barazisë! Respekti për çdo qytetar (ose pjesëmarrës në aktivitetet tona) përtej nuancave etnike, transparenca, përkushtimi, angazhimi, besimi dhe serioziteti i stafit tonë në procesin e ndërtimit të marrëdhënieve ndëretnike në Mitrovicë por edhe në mbarë Kosovën, e ka konsoliduar CBM-në duke i dhënë vullnet për të ecur para, pa u penguar nga sfidat e përkohshme.” – më thotë Afërdita, gjithë durim.
Rrjedhimisht, më grish ta pyes edhe për motivet që e kanë shtyer drejt udhëtimit profesional të gjatë e të mundimshëm në përpjekje për t’i pajtuar qytetarët e të dy anëve.
“Motivi i parë, kryesori, ka qenë kthimi në shtëpinë time! Unë jam nga veriu i Mitrovicës anise nga paslufta jetoj në jug të qytetit. Pastaj, thënë të vërtetën, unë jam e prirur për të menduar se jo të gjithë njerëzit janë të ligë dhe kjo më ka motivuar që të vazhdojë tutje përpjekjen dhe punën për ndërtimin e paqes ndërmjet njerëzish. Ne nuk kemi zgjedhje të shumta. Nuk kemi alternativa. Ndaj, ose duhet të punojmë e të mundohemi, minimalisht për të pasur një jetë të mirë, të qetë e në paqe ose duhet të zhytemi në luftë e konflikte. Për mua, opsioni i dytë nuk është aspak i vlefshëm dhe as që dua t’jap mundësi për shqyrtim; prandaj kam zgjedhur të punoj dhe veproj derisa të mundem, në mënyrë që qytetarët të kenë një jetë më të dinjitetëshme, e natyrisht bashkë me ta, atë fat do ta kem dhe unë.” – tregon Afërdita.
Dhe kur e pyes përse nuk është shkëputur nga kjo rrugë mundimesh, ajo rrëfen: “Sigurisht që puna, proceset dhe angazhimi për dhe në ndërtimin e paqes nuk janë aspak të lehta sepse po të ishte ndryshe, atëherë do t’kishim shumë herë më tepër akterë të involvuar në këto procese dhe nuk do kishte kaq shumë konflike nëpër botë. Jo, nuk është e lehtë dhe ka raste kur dëshprohem sidomos prej situatës politike dhe tensioneve të shpeshta që detyrohemi, ndër tjerash emocionalisht t’i superojmë; por prap kur shoh se njerëzit janë të interesuar për të jetuar një jetë më të mirë; kur shoh se njerëzit vazhdojnë të komunikojmë për sa kohë që nuk ka tensione politike madje kalojnë nga njëra anë e qytetit në tjetrën; kur has të rinjë te pasionuar që kanë shumë interes dhe dëshirë për t’u përfshirë në aktivitete multietnike nga ku më pas krijojnë shoqëri të reja me njëri-tjetrën; kur shoh ndryshimet që i arrijmë përmes programeve tona apo gratë e vajzat tek rriten profesionalisht; atëherë e hedh mbrapa krahësh sfidën, motivohem për ta vazhduar punën me dashuri e përgjegjësi për njerëzit e qytetit tim!
Mundi për Liri
1. Z. është rritur në fshat, në një familje të madhe, rrethuar kryesisht nga gra a vajza. Në konakun e tyre, përbrinjë faqes së kodrës, ajo është e dyta nga gjashtë vajzat e nanës Sh.; mbesa e veçuar për gjyshin I., dhe gjyshen Z. Ndonëse arën e familjes nuk kanë arritur ta lëvrojnë, vajzat e shtëpisë megjithatë kanë ndriçuar secilin hap të hedhur në rrugën e gjatë e të mundimshme të nxënies së dijes!
“Baba i çikave, djali jem, i vogli, e ka dashtë fort librin e kalemin. E ka pasë krye shkollën atij vakti, anise nuk i prijti fati për me ushtrue zanatin. Na la herët. Në luftë jena kanë kur i ka mshel sytë. Jo, nuk e kanë vra. U paqejf prej mushknive. Taj, hajt – hajt, qashtu herë në kolonë e herë nëpër shpia t’huja, s’mujshim me i ba hyzmet qysh duhet. Çikat i kish sa troha (shumë të vogla). Nusja ish e re. Djalin në spital s’kisha mundësi me çue! Jo veç që s’kishim mundësi por as nuk kisha ku me shku! Luftë hesapi. Tash, çikat ma hjekin mallin e tij.” – thotë gjyshi plisbardhë. Kur e pyes, në i ka mbetur ndonjë merak jete, më thotë, gjithë qetësi: – “Secilës, i kam folun veç e veç. Nuk kam dashtë me u rritun tuj e kthye kryt nga hasmënitë e inatet. Baba i tyne e ka dashtë shehrin e vet, muzikën edhe shyhretin që e ka pasë ky vend. N’takat të plakut, jam munue me i ba çika t’lira. Po du me thanë, me i lanë të lira, bash ashtu siç kish dashtë edhe baba i tyne.”
Pra, njeriu, me ose pa diplomë universitare, mjafton me dashtë dhe ai/ajo ka për ta gjetur rrugën në fund të secilit tunel. Qyteti nuk është veç trishimi i akumuluar në dekada. Qyteti është i përzemërt sepse këndejpari njerëzit akoma e lexojnë historinë pa e fabrikuar atë. Madje, duke e çliruar nga çdo pezmatim.
Në fund, mbeti Fjala, Qyteti dhe Za*Na.
Nora dhe Luli janë shokë jete. Në qytet i takon shpesh, përhërë të mbuluar me qetësi rrëzëllitëse e buzëqeshje fëmijrore. Nora Prekazi përpiqet fort që t’i nxjerrë në dritë pasuritë materiale dhe ato shpirtnore të Mitrovicës ndërsa Lulzim Hoti, vazhdon të jetë në krye të organizatës “7 Arte” më të cilën vetëm gjatë vitit 2023 kishin realizuar 123 aktivitete edukative e kulturore.
Nora, prej disa vitesh i ka sfiduar të gjitha paragjykimet mbi poezinë dhe etninë – si ngërçe që paralizonin normalizimin e jetës artistike në Mitrovicë. Thënë tjetërsojshëm, bëhet fjalë për festivalin e poezisë “ZaNa” – një nismë kjo e projektuar prej dëshirës dhe pasionit të Norës e që pastaj u kthye ne ftesë të hapur për gratë artiste, shkrimtare e poete si nga jugu ashtu dhe nga veriu i qytetit si për të tregu me Za’ se mes nesh jeto një Qytet më pak i zhurmshëm sesa ai i lajmeve dhe kronikave të zeza.
Tymnja politike si fasadë
M.J. është nga ato gratë që flasin krejt pak ndërkohë që mbledhë prej të tjerëve, ç’të jetë e rëndësishe për atë dhe punën e saj, jo fort të kollajtë. Kur e pyes se si është situata e të rinjvë në Veri, ajo, gjegjet tanë shqetësim: “E rëndë! Shumë e rëndë! E kisha imagjinuar ndryshe ose do të doja të ishte më ndryshe. Konfliktet e muajve të fundit, tensionet e vazhdueshme dhe ndërhyrjet e pandërprera nga jashtë, kanë bërë që administrata publike të dal jashtë funksionit, ankthi të shtohet mes qytetarëve si dhe puna jonë si shoqëri civile të bllokohet. Gjendja ngjanë me kaos ku askush nuk di se ç’po e pret. Janë shtuar rastet e raportimit të dhunës brenda familjeve në Veri. Shifra alarmante! Janë shtuar edhe rastet e raportimit të dhunës kundër grave e fëmijëve në familjet veriore.
A po ofrojnë diçka institucionet, e pyes disi me dyshim! “Institucionet lokale nuk ofrojnë asgjë për momentin sepse në realitet ato janë shumë pak dhe kanë po kaq pak kapacitete krahasuar me numrin e madh të atyre që kërkojnë ndihmë apo asistencë. Ndërkaq kur e pyes se cilat janë problemet që sot e shkundin të riun e veriut të Mitrovicës, ajo gjegjet: “Të rinjtë, në “versionin më të mirë” po ballafaqohen me stresin dhe ankthin kurse sipas të dhënave jo zyrtare, skenari më i trishtë flet për varësinë e adoleshentëve ndaj drogës dhe nivel të lartë depresioni në moshat e reja. Pra, tymnaja politike, me armë e piskama nuk na duket më aq shqetësuese krahasuar me sfidat bashkëkohore që po na presin ne, fëmijët tanë dhe një brez të tërë të paformuar dinjitetshëm.”
Tymnaja politike si fasadë, II.
Të dhënat e mbledhura nga një cikël trajnimesh që u realizua prej CBM-i dhe partnerëve të tjerë flasin për një situatë gjithaq shqetësuese në jugun e Mitrovicës. Gjithnjë, sipas këtij raporti, të rinjtë që jetojnë në jugun e Mitrovicës vetëm sipërfaqësisht i zotërojnë informacionet e përgjithshme mbi jetën e përditshme; ata janë neglizhent në raport me sfidat e kohës si dhe kanë mungesë të theksuar vullneti, dëshire, dashamirësie e mirëkuptimi.
Rëndesa ekonomike dhe pengesat që dilnin prej mentalitetit duket se e vështirësonin rrugëtimin e tyre personal e kolektiv.
Përmbledhurazi, dallohet se të dyja anët e qytetit po ballafaqohen me probleme ekzistencialiste. E përtej zhurmës se politikanëve, qytetarët kanë të tjera përvoja, nevoja e urgjenca personale e kolektive – të cilat, në fund të ditës nuk pyesin për dallimet etnike. Mungesa e një sistemi arsimor të mirëfilltë si dhe mungesa e alternativave për rininë e të dyja anëve, flet shumë më tepër sesa deklaratat boshe të autokratëve lokal.
Pikëtakimet e banorëve që i ndanë gjuha, kultura dhe historia
(Një pikëpamje sociologjikë mbi Mitrovicën)
Në vazhdën e bisedave mbi Mitrovicën, një sofër të vockël e shtruam edhe me sociologen, Merjem Gashi. Për ta kuptuar më në thelb portretin sociologjik të një qyteti multietnik, duhej të sheshonim së pari, pyetjen e njëmijë e një dilemave që gërmon në identifikimin e pikëtakimeve mes banorëve që diferencohen prej shoqi-shoqit për nga gjuha, kultura e historia
“Nëse jemi duke aluduar për një shoqëri multlikulturaliste apo një shoqëri me kulturë pluraliste ku grupet e ndryshme jo vetëm që bashkëveprojnë me njëra tjetrën por njëkohësisht edhe i marrin në konsideratë karakteristikat e grupeve tjera si tipare që ia vlen të jenë në kulturën dominuese atëherë këtu pikëtakimi veçse është ekzistent. Në një shoqëri të këtij tipi integrimi i qytetarëve është më i rëndësishëm krahas përjashtimit” – thotë Merjemi.
Por a gjendet në Mitrovicë, një shoqëri të tillë? Sipas Merjemit, meqë këtu nuk bëhet fjalë për një shoqëri të tillë por për mundësinë e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës së dy grupeve të dala nga konflikti atëherë problematikën duhet shikuar nga perspektiva e sociologjisë së konfliktit. “Vendet që dalin nga konfliktet karakterizohen nga kapacitete të dobësuara apo inekzistente në të gjitha nivelet, filluar nga institucionet e shkatërruara, mungesës së një kulture demokratike, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe varfërisë. Rindërtimi pas konfliktit kuptohet si një proces kompleks e shumëdimensional që përfshin përpjekjet për të përmirësuar rendin e ligjit, qeverisjen, zhvillimin ekonomik, drejtësinë dhe pajtimin.”
Tensionet, traumat, emocionet dhe çrregullimet e tjera në komunitetet e trandura prej konfliktesh
Adelina Toplica-Badivuku është psikoterapiste familjare, specialiste për rimëkëmbjen nga pikëllimi si dhe aktiviste për të drejtat e gruas, e cila jeton e punon ndërmjet Kosovës dhe Londrës. Përvoja e saj tejet e pasur si dhe përqasja konstruktive kundrejt problemeve e zbërthen njerëzisht vuajtjen e banorëve të Mitrovicës.
“Mitrovica shpesh përceptohet si një qytet i ndarë vetëm fizikisht prej një ure, por në realitet ndarja shkon përtej kësaj, duke përfshirë ndarje të thella etnike dhe kulturore që janë rrënjosur në historinë e dhimbshme të rajonit. Pikërisht, këto ndarje krijojnë një atmosferë të tensionuar dhe komplekse në jetën e përditshme të qytetarëve. Shqiptarët dhe serbët kanë përjetime historike të ndryshme; shqiptarët kanë vuajtur për një kohë të gjatë nën diskriminimin e bashkëqytetarëve serbë dhe kanë qenë kryesisht viktima të konfliktit të armatosur. Ky mllef për vitet e diskriminimit dhe dhunës vazhdon të ndikoj thellësisht në marrëdhëniet ndërpersonale, duke krijuar një ambient të mbushur me mosbesim dhe tension. Natyrisht, as serbët nuk janë më pak të tensionuar. Ata, përveç ballafaqimit me të kaluarën, përditë përballën dhe me presionin e liderëve të tyre që nga distanca komandojnë jetën e banorëve të qytetit.”
Ndër tjerash, Badivuku thekson se trauma e luftës, humbjet e mëdha dhe mungesa e vazhdueshme e sigurisë ndikojnë në shëndetin mendor dhe emocional të qytetarëve. “Frika, pasiguria dhe mosbesimi janë emocione të përhapura që e trazojnë përditshmërinë e tyre. Mos të harrojmë se edhe varfëria mbetet faktor me ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e qytetit.”
Odiseja e Mitrovicës
Kaherë Mitrovica ka qenë çështje interesante studimi, veçmas për akademikët që qytetin e përceptonin vetëm si plagë të hapur lufte. Megjithatë, trendet e fundit dëftojnë një përqasje goxha të moderuar ndaj “Urës” së famshme mbi lumin Ibër. Thënë kështu, historia e qytetit sot portretizohet edhe si shembull pozitiv i asaj që në literaturë kultivohet si “paqe e përditshme”
Përgjithësisht, përkufizimet ekzistuese të paqes përtej mungesës së luftës akoma nuk janë kopsitur tërësisht. Në përkufizimin e McConnell., koncepti i paqes së përditshme është i lidhur ngushtë me veprimet dhe praktikat e individëve, grupeve shoqërore, institucioneve dhe aktorëve të tjerë në (ri)prodhimin e paqes. Ky nocion i “përditshmërisë” në mjediset e pasluftës i referohet mënyrave me të cilat njerëzit përballen me çdo lloj mundësie që kanë, si e si për ta bërë “jetën e tyre sa më të mirë që munden”.
Një presupozim tjetër e kapërthen paqen si process qenësisht politik që krijohet nga bashkimi i të kundërtave me miratimin e të njejtëve; të cilët mblidhen, komunikojnë dhe negociojnë përmes taktikave të ndryshme të pushtetit. Ndërkaq, ka edhe të atillë studjuesë që orvaten për të kuptuar thelbësisht problemet e përditshme të shoqërisë dhe mangesitë e pakapërcyeshme të paqes; ose që mendojnë se paqja është më shumë sesa thjesht mungesa e luftës apo thënë ndryshe, paqja në marrëdhëniet ndërmjet dy entiteteve lë të nënkuptohet se të dyja palët janë të ndërvarura nga njëra-tjetra ndërkaq përdorimi i dhunës mes tyre bëhet tërësisht i pamundur sepse sulmi ndaj tjetrit përkthehet në dëm kolateral mbi vetveten.
Nga këtu, kollaj mund ta pyesnim veten, në kemi reflektuar ndonjëherë ndryshe për qytetin? Pra, a mund të themi se ngadalë por me siguri, Mitrovica nuk është më vetëm një qytet me tension në zi?!
Thembra nihiliste e Akilit
Fabrikimi i historisë ka qenë dhe mbetet një prej problemeve më të mëdha në mbarë Ballkanin, pa përjashtim. Tendencat për të manipuluar të kaluarën ose shtrembëruar të vërtetën i kanë shërbyer vetëm interesave të një grupi imcak politikanësh, të cilët në kurriz të dhimbjes së viktimave i kanë ndërtuar perandoritë e tyre populiste. Nëse politikat nuk zhvillohen dot në të kaluarën dhe as e ndreqin atë, atëherë për çfarë na duhet intepretimi i së shkuarës?
Lëvrimi i narrativave të së vërtetës, larg sindromës së vetviktimizmit, mohimit apo ndërtimit të miteve kolektive mbetët opsioni më fisnik që e shtyen përpara ndërtimin e paqes dhe transformimin e konfliketeve, në qytetet si Mitrovica, ku qytetarët e të dyja anëve të Urës, ata që nuk posedojnë kartela anëtarsie brenda partive politike, gjejnë gjuhë të përbashkët, minimalisht për të jetuar të qetë.
Kush po na pengon për ta kundruar ndryshe qytetin?
Ndonjëherë, zallamahia e zërave që kërkojnë kurban, na bën të harrojmë se çfarë na duhet dhe ç’duhet kërkojmë! Shpesh, harrojmë se kush jemi dhe ku do vemi! Harrojmë vetën dhe tjetrin. Pastaj, në shkundje e sipër, kuptojmë, me zor, herë në kohë e herë pa kohë, se janë stimujtë e jashtëm dhe të programuar me hile, perdet e rënda që i bëjnë arsyes dhe qenies sonë racionale.
“Falë angazhimit, punës dhe përvojave të fituara ndër vite si dhe duke u mbështëtur në studimet që ne kryjmë herë pas herë, kam kuptuar se në Mitrovicë ka mundësi, terren, vullnet, resurse dhe kapacitete humane mjaftueshëm të konsoliduara për ta ndërtuar paqen për sa kohë që ky process të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe të merituar! Pra, nëse ne e marrim seriozisht ndërtimin e paqes në Mitrovicë dhe nëse në këtë mission përfshihen të gjithë akterët në nivel lokal e qëndror atëherë mund ta them me siguri të palëkundur se po, këtu ka shpresë! Biles, ky fakt dhe kjo e vërtetë më kanë shtyer që të mos heq dorë nga qëllimi im dhe madje jam motivuar për të punuar me kapcitete të plota personale e profesionale.” më thotë Afërdita Syla nga CBM-i.
Politikën, po aq problematike e sheh edhe N.N., teksa shpjegon se qeveritë nuk janë të vendosura për t’i çuar para proceset paqe-ndërtuese meqë etno-nacionalizmi vazhdon të jetë një nga motorët kryesor që vë në lëvizjeve politikat populiste, përmes së cilave “zhduken” nga agjenda problemet reale dhe konkrete të të gjitha grupeve etnike në Kosovë, si papunësia, mungesa e përspektivës, mungesa e zhvillimit ekononik, eksportet e limituara që përkthehen në mundësi të limituara të vendeve të punës.
Edhe Nora Prekazi e përmend ndikimin negativ që ka politika mbi përpjeket e mundimshme për të normalizuar bashkëjetesën në Mitrovicë. Ajo madje kujtoj një nga edicionet e festivalit të poezisë ku për shkak të tensionimit të situatës, poetët e veriut të zënë ngushtë, u detyruan të largohen nga aktiviteti.
POR, a ka shpresë akoma për Mitrovicën?
Çdo tentativë për ta trajtuar çështjen e Mitrovicës pa u reduktuar vetëm tek konfliktet ndëretnike është njëmend sfidë dhe përgjegjësi e sertë sepse zemrat e shumë nënave janë akoma në përvujtëni prej dhimbjeve të së kaluarës. Por, ka gjithnjë një por! – njerëzishëm dhe pa tendenca; nëse mëtojmë ta ndryshojmë fatin bojëhiri, atëherë kuptojmë se qytetit nuk i janë kalbur mushkëritë, akoma!
Afërdita pohon se fal angazhimit, punës dhe përvojave të fituara ndër vite si dhe duke u mbështëtur në studimet që CBM-i kryen herë pas here, zotëron një përceptim solid mbi këtë çështje. “Kam kuptuar se në Mitrovicë ka mundësi, terren, vullnet, resurse dhe kapacitete humane mjaftueshëm të konsoliduara për ta ndërtuar paqen për sa kohë që ky process të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe të merituar! Pra, nëse ne e marrim seriozisht ndërtimin e paqes në Mitrovicë dhe nëse në këtë mission përfshihen të gjithë akterët në nivel lokal e qëndror atëherë mund ta them me siguri të palëkundur se po, këtu ka shpresë! Biles, ky fakt dhe kjo e vërtetë më kanë shtyer që të mos heq dorë nga qëllimi im dhe madje jam motivuar për të punuar me kapcitete të plota personale e profesionale.” – rrëfen ajo.
Në anën tjetër Merjem Gashi mendon se deri tani edhe mund të mos ketë patë mjaftueshëm përpjekje bashkëpunimi për të realizuar një transformim kulturor a përafrim në pikat e përbashkëta, meqë vazhdimisht nga larg ka pasë sforcim. “Sikur të ishte punuar më tepër në nivel emocional, bashkëpunues, ndërveprues, të paktën në nivelin e qytetarëve, jeta e përditshme edhe do mundej të zhvillohej normalisht.”
Në fund, Adelina Badivuku thotë se ndonëse sfidat janë të mëdha, përkushtimi ndaj pajtimit, edukimit dhe mbështetjes për shëndetin mendor mund të krijojë një të ardhme më të ndritur për Mitrovicën dhe qytetarët e saj. “Nëse të gjitha palët angazhohen për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe për të adresuar plagët e së kaluarës, Mitrovica mund të bëhet një model për pajtimin dhe bashkëjetesën në rajon dhe më gjerë.”
në fund të fundit,
nuk qe e lehtë të mblidhje shumë zëra në një letër. As të guxoje të rrezikoje për ta parë ndryshe hallin tonë të vjetër! Nuk është e lehtë të jetosh me Shpresë! Ndaj, në kujtim të grave, burrave e rinisë që iku pa e shijuar qytetin, le ta çelim syrin e tretë, për ta parë ndryshe, një Qytet të dhuntisur me Dashuri, (jo fort) të lehtë!
Ky material është publikuar në kuadër të projektit “Reconciliation and Conflict Transformation” i cili përmes skemës së granteve të vogla ka mbështetur gazetarët të cilët kanë shkruar histori pozitive për ndërtim të paqës dhe bashkëpunim ndër-etnik në Kosovë.
Diskutime rreth kësaj post