Arresti shtëpiak po i kushton jo vetëm lirinë por edhe financat Sali Berishës si deputet. Në 7 muajt e izolimit llogaria e tij nuk është kredituar asnjëherë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në një kohë që deputetet dhe kolegët e tij vijojnë të shijojnë rritjen e pagave, liderit demokrat nuk i paguhen as sigurimet shoqërore, ku financiarisht duket të mos figurojë më si ligjvënës i Kuvendit megjithëse mandati nuk iu ndërpre për shkak të mungesave.
Instituti i Studimeve Politike ka evidentuar në raportin e tij më të fundit 20 deputetët që janë paguar më shumë nga Kuvendi dhe ata me më pak pagesa, ku mes listës spikat emri i Sali Berishës me rreth 430,013 lekë, të cilat në vetvete janë pagesat e muajit dhjetor 2023, periudhë kur ai shkeli për herë të fundit në Parlament.
Instituti i Studimeve Politike ka bërë një bilanc të sesionit të fundit parlamentar, duke identifikuar 20 deputetët që janë paguar më shumë dhe më pak në periudhën janar-gusht 2024. Mes deputeteve me të ardhura më të larta renditet Enslemvera Zake me 3,228,017 lekë.
Duke nisur nga pranvera e vitit 2023 deputetët aktualë janë njëherësh deputetët më të paguar të gjitha legjislaturave të tranzicionit, një vendim që u mor në mënyrë konsensuale prej tyre. Në terma të thjeshtë, pagesa mujore e deputetëve është rreth 2 deri 2.5 mijë euro pa llogaritur përfitimet shtesë që variojnë deri në 2 mijë euro të tjera.
Diskutime rreth kësaj post