Ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi paralajmëroi se shumë shpejt Prokuroria e Posaçme pritet të përfundojë hetimet për dosje të tjera “bombastike” në lidhje me inkriminalitetin e figurave politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai u shpreh se shumë zyrtarë të lartë të shtetit, ministra e ish-ministra, Vitin e Ri nuk do ta hanë në shtëpi. Sipas informacioneve të Z.Prençi, SPAK ka në proces hetimor në fazën e mbylljes, disa ngjarje shumë të rënda dhe shumë të bujshme të cilat do të hanë koka të mëdha. Ai thotë se një pjesë do të përfundoj pas hekurave brenda muajit shtator, e një pjesë brenda muajit tetor. Po ashtu ish-drejtori i Emergjencave Civile zbulon se kreu i SPAK, Altin Dumani disponon dekriptime të bisedave telefonike të shumë punonjësve të policisë, të prokurorisë, të gazetarisë, të institucioneve të tjera e në mënyrë të veçantë disponon dokumente të kryetarëve të bashkisë, të shumë ministrave dhe shumë deputetëve e ish-ministrave që kanë biseduar dhe hartuar plane me grupet kriminale për të vrarë njerëz.
Lidhur me vrasjet e fundit dhe krimin e ulur “këmbëkryq” në Shqipëri, Z.Prençi tha se përsa kohë politika iu jep mbështetje grupeve kriminale, qoftë në bazë apo në qendër nga qeveria duke i shpërblyer me tendera apo fonde publike, atëherë është e pamundur që Policia të menaxhojë dhe të kontrollojë territorin në raport me luftën polici-kriminalitet. Po ashtu, ai thotë se situata shkon akoma më e rëndë kur me grupe kriminale komunikojnë ministra e deputetë të cilët kanë influencë e lëvizin dhe emërojnë shefa komisariatesh ashtu siç ua kërkojnë grupet kriminale. Në fund, Z.Prençi teksa komentoi dosjet përvëluese në SPAK, tha se disa çështje të veçanta kërkojnë hetim ndoshta dhe 3-4 muaj për të përmbyllur me sukses të gjithë të implikuarit të veprimtarisë kriminale dhe çështje shumë të rënda dhe të rëndësishme për opinionin publik shqiptar.
-Zoti Prençi, krimi duket se është ulur ”këmbëkryq” në Shqipëri. 6 të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i kësaj jave. A duhet të mbajë përgjegjësi ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe zinxhiri drejtues?
Natyrisht për të gjithë kriminalitetin në vend mban përgjegjësi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në qendër dhe në bazë por në mënyrë të veçantë është konstatuar se këtë vit, nuk ka patur një plan të detajuar për evidentimin e konflikteve dhe sidomos në kuadër të qarkullimit masiv të emigrantëve që vijnë për pushime në verë në vendin e tyre. Më së shumti Policia është investuar te kontrolli i territorit për kultivimin e bimëve narkotike të cilat po vetë Policia dhe pushteti vendor i ka lejuar kultivimin e këtyre bimëve narkotike. Po të shikoni në Shkodër jo vetëm janë kërcënuar, madje janë gjuajtur me armë efektivët për shkak të detyrës në asgjësimin e mbi 1 milion rrënjëve bimë narkotike. Si është e mundur që kjo polici zbaton ligjin e kontrollit të territoreve, ka lejuar kultivimin e mbi 1 milion bimë narkotike. Sepse ne e dimë mirë që policia rrallëherë mund të shkojë në asgjësimin e gjysmës së numrit total të kultivimit të bimëve narkotike. Kjo është panorama dhe situata alarmante ku Ministria e Brendshme e ka humbur betejën në luftën ndaj krimit pasi grupet kriminale kanë mbështetje në qendër dhe në bazë.
Të gjitha grupet kriminale janë të favorizuara nga deputetët që kanë potencial në pushtetin e PS e në mënyrë të veçantë kryetarët e bashkive. Këto të fundit i marrin në mbrojtje grupet kriminale, të fortit e rajonit të qarkut apo të bashkisë pasi kanë detyrime në menaxhimin e votës në kohën e fushatave zgjedhore. Përsa kohë politika iu jep mbështetje grupeve kriminale, qoftë në bazë apo në qendër nga qeveria duke i shpërblyer me tendera apo fonde publike, atëherë është e pamundur që Policia të menaxhojë dhe të kontrollojë territorin në raport me luftën polici-kriminalitet. Situata e ditëve të fundit, asnjëherë nuk ka marrë vëmendjen e duhur që mendjen e qeverisë për të analizuar situatën kriminale në Shqipëri, E keqja është se ministri i ri i Brendshëm, vjen nga radhët e Policisë por mesa duket nuk ka mbështetjen e duhur politike pasi në të kundërt duhet të kishin filluar disa ndryshime në Policinë e Shtetit. Në këtë organizatë dhe qeveri se nuk e merr vendimin ministri i Brendshëm për të pozicionuar njerëz me integritet e të ndershëm për të luftuar krimin por po ndikon politika. Me emërimin e ri të ministrit të Brendshëm që nuk po bën asnjë ndryshim tregon që të gjitha emërimet bëhen me urdhër të Edi Ramës dhe një mënyrë të veçantë nga deputetë më influencë në rajone dhe e në bashki të ndryshme.
-Prej muajsh flitet se Policia e Shtetit është inkriminuar, madje shumë drejtues të lartë dhe efektivë policie kanë dalë në përgjimet e “Encro Chat” dhe “SKY ECC” që bashkëpunojmë me krimin e organizuar. Si mund të pastrohet polica nga personat e inkriminuar?
Historia e inkriminimit të punonjësve të policisë, e sidomos të drejtuesve të policisë është një histori shumë e vjetër. SKY dhe Encro Chat ka nxjerr në pah se drejtues policie ne nivel qarku, komisariati dhe drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, janë në shërbim të grupeve kriminale, këtë e ka dëshmuar kreu i SPAK, Altin Dumani gjate fjalës së tij mbajtur në Kuvend, ku tha: në përbërje dhe në mbështetje të grupeve kriminale janë drejtues policie, situata është e vështirë për të gjurmuar dhe hetuar e për të goditur grupet kriminale. Situata shkon akoma më e rëndë kur me grupe kriminale komunikojnë ministra e deputet të cilët kanë influencë e lëvizin dhe emërojnë shefa komisariatesh ashtu siç ua kërkojnë grupet kriminale. Kjo është vetëvrasja. Ka vetëm një rrugë për të pastruar policinë, propaganda që po bëjnë ministrat se po e pastrojmë policinë por faktikisht nuk po heqin as ato që kërkon SPAK-u, që janë të implikuar me veprimtari kriminale. Ka raste që janë marrë nga SPAK-u dhe i kemi parë të rikthehen sërish në Polici. Rruga e vetme është depolitizimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Lënia në kompetencë të ligjit, në zbatim të ligjit në funksionit të përgjithshëm të Policisë pa ndërhyje të Ministrit dhe Kryeministrit.
Në 11 vite në Policinë e Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, asnjëherë apo në ndonjë rast të rrallë, nuk kanë mundur të emërojnë drejtor policie qarku apo qendror pasi të gjitha janë diktuar politikisht nga deputet dhe ministra. Kjo është vetëvrasje e Policisë së Shtetit, katapultimi i personave të cilët nuk kanë integritet por bashkëpunojnë me grupet kriminale, politika i ngre në nivele të larta drejtorish. E nga ana tjetër edhe ministri i Brendshëm apo Drejtori i Përgjithshëm i Policisë janë të detyruar që të zbatojnë emërimet në qarqe po qendrore pasi i detyron politika dhe i vënë urdhrat në zbatim, ku detyrojnë më pas deputetët që të emërojnë eksponentë të krimit në pikat favorizuese. Situata e ditëve të fundit tregon që Policia është shumë larg, vrasja në Velipojë ishte e paralajmëruar, vrasja në Orosh të Mirditës, e paralajmëruar për shkak të konflikteve dhe të problematikave, e njëjta gjë edhe për plagosjen në Tiranë nga efektivi i policisë me punonjësin e ERE-së.
-Si po ndikon reforma në sistemin e drejtësisë dhe policisë në kushte të punës dhe në përmirësimin e kushteve të sigurisë për punonjësit e policisë?
Organizata e Policisë ka nevojë për një reformë radikale. Duhet të ketë një bashkëpunim të veçantë me SPAK-un, pasi ky i fundit disponon dekriptime të bisedave telefonike të shumë punonjësve të policisë, të Prokurorisë, të gazetarisë, të institucioneve të tjera e në mënyrë të veçantë disponon dokumente të kryetarëve të bashkisë, të shumë ministrave dhe shumë deputetëve e ish-ministrave që kanë biseduar dhe hartuar plane me grupet kriminale për të vrarë njerëz. Këtu Policia e Shtetit duhet të ndërmarrë vetë iniciativa për ta pastruar organizatën e për t’i përjashtuar nga radhët e Policisë si persona të padenjë e të padëshirueshëm, të cilët kanë numrin 41, për punët e policisë dhe të mos flasin me numra britanik e gjerman e francez me grupet kriminale, për të bërë gjëmën e për të vrarë dhe për t’u bërë pjesë e disa grupeve kriminale. Kjo është situata më e rëndë në të cilën ndodhet Policia e Shtetit që prej historikut të krijimit të saj. Qeveria shqiptare për asnjë moment nuk ka menduar për organizatën e policisë, për zjarrfikëset dhe për strukturat e Emergjencave Civile. U mjaftuan me miratimin e ligjit 45/2019 për krijimin e Agjencisë Kombëtare Cilivile pranë ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk u mendua për ngritjen e kapaciteteve teknike e njerëzore, të afta e të përgatitura për t’ju përballura për emergjenca për të shpëtuar jetë njerëzore. E për t’i pajisur me pajisje moderne siç janë në vendet e rajonit e në Evropë.
-Së fundmi, SPAK ka lëshuar 30 masa urdhër-arreste ndaj grupeve kriminale, por realiteti në Shqipëri tregon një lidhje të fortë me politikën, a pritet një ‘shtator’ i nxehtë për Prokurorinë e Posaçme për të goditur grupet kriminale ku prej kohësh kryefjalë e politikës mbetet zoti Berisha dhe Meta?
Parë në kontekstin e divergjencës, duket se SPAK ndjek dy standarde. Duke iu referuar rastit Berisha dhe zotit Meta, për çështje të paqena që aplikohet arrest shtëpie është jo vetëm kriminale por është edhe vrastare për demokracinë pasi është e pamenduar që në një vend demokratik, kryetarët e opozitës të jenë në arrest shtëpie apo të përndjekur e të akuzuar. Ndërkohë që ministrat që kanë abuzuar te ministria e Shëndetësisë, duke filluar nga Manastirliu, Beqaj, etj, gëzojnë lirinë paçka se Beqaj kohët e fundit është për tjetër çështje në qeli. Janë shumë ministra të akuzuar të cilët kanë abuzuar me fondet publike sipas raportit të KLSH-së, deri në 900 milion euro. SPAK-u e ka të vështirë të trokas për sa kohë i mbron kryeministri, mbron vëllain e tij e sulmon të tjetër. Thënë ndryshe, SPAK këtu është i pafuqishëm përballë ministrave të qeverisë Rama dhe ish-pushtetarëve të qeverisë Berisha. SPAK-u në raport me goditjen e grupeve kriminale, duhet përgëzuar pasi janë vënë në pranga eksponentë të krimit. Por në opinionin publik pritshmëria është më e lartë ndaj GJKKO-së dhe SPAK-ut dhe njerëzit do të ndihen se kemi një sistem drejtësie atëherë kur t’i vihen prangat një ministri në detyrë, një kryeministri në detyrë, strategut të vjedhjes së 480 milion eurove në inceneratorin e Tiranës, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Duhet që SPAK ta ngrejë stekën duke goditur kriminalitetin pikërisht atje ku buron kriminaliteti. Unë jam i bindur se prokurorët e SPAK nuk do të tundohen por do të godasin kriminalitetin në Shqipëri.
Jam i bindur që do të ketë shumë grupe kriminale në pranga përfshirë dhe ministra, politikanë e ish-ministra të cilët nuk kanë për ta ngrënë Vitin e Ri në shpi por duhet të kemi parasysh volumin e dosjeve që ka në hetim SPAK-u është kaq shumë i madh dhe numri i prokurorëve është shumë i vogël sepse gama e kriminalitetit që është lënë për të goditur SPAK-u është shumë e madhe. Duhet të ishte bërë një ndryshim me ligjin ndaj SPAK-ut ku ky i fundit nuk duhet të ishte marrë me gjërat të vogla vetëm se është implikuar një përfaqësues i shtetit. SPAK-u duhet të ishte orientuar së paku te krimet e rënda dhe sidomos te politika në implikimin e zyrtarëve të lartë të shtetit. Por gjithsesi, sipas informacioneve të mia, shumë zyrtar të lartë të shtetit, ministra e ish-ministra Vitin e Ri nuk do ta hanë në shtëpi. Për këtë jam i bindur se SPAK ka në proces hetimor në fazën e mbylljes, disa ngjarje shumë të rënda dhe shumë të bujshme të cilat do të hanë koka të mëdha. Besoj se një pjesë do të përfundoj pas hekurave brenda muajit shtator e një pjesë brenda muajit tetor. Por ka disa çështje të veçanta të cilat kërkojnë hetim ndoshta dhe 3-4 muaj për të përmbyllur me sukses të gjithë të implikuarit të veprimtarinë kriminale dhe çështje shumë të rënda dhe të rëndësishme për opinionin publik shqiptar.
Intervistoi Xhoana Vraniçi
Diskutime rreth kësaj post