Të hënën që shkoi u raportua se Kryeministri kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Konventën e Demokratëve që po mbahet në Çikago. Për dy ditë radhazi zyra e tij njoftoi për takime me senatorë amerikanë e ndonjë mysafirë tjetër në margjina të konventës. DASH, në një përgjigje për mediat e Kosovës, të cilat kishin pyetur nëse Kurti do ta takojë ndonjë zyrtarë atje, kishte thënë se nuk ka ndonjë “takim dypalësh për ta paralajmëruar”. Të enjten, ZKM s’ka treguar për ndonjë aktivitet të Kryeministrit Kurti, por po ashtu s’ka pasë ndonjë njoftim nëse ai është kthyer në Kosovë. Pikërisht në këtë ditë, në Prishtinë qëndroi shefi i CIA’s, William Burns, i cili takoi Presidenten Osmani. Një ditë më herët ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, nga një konferencë me Presidenten, e bëri të qartë se Administrata amerikane nuk i ka punët me Albin Kurtin sikur me popullin e Kosovës.
Kryeministri Kurti udhëtoi drejt SHBA-së më 19 gusht për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago. Zyra e Kryeministrit kur njoftoi për nisjen e tij paralajmëroi se “do të ketë edhe takime të ndryshme bilaterale”. Megjithatë, kryeministri në këto dy-tri ditë njoftoi për takime me senatorë e ish-zyrtarë amerikanë. Madje, atyre ua transmetoi kërkesat që kishte për Administratën – sidomos rreth atyre që lidhen me Serbinë – meqë me asnjë zyrtar të kësaj të fundit nuk u takua.
Në ditën e dytë, Kurti tha se u takua me dy senatorët amerikanë demokratë, Chris Murphy dhe Peter Welch, që po merrnin pjesë në konventën e partisë së tyre.
Kurti këtu u kujdes ta potencojë se SHBA-në e konsideron “aleatin e partnerin kryesor” me të cilin synon që t’i thellojë marrëdhëniet edhe më tej në shkëmbimin tregtar, ekonomik, por edhe më gjerë.
“Biseduam dhe për zgjedhjet historike presidenciale në SHBA të cilat do të mbahen më 5 nëntor dhe gjallërinë e vlerat e rrënjosura të demokracisë së fuqishme amerikane, mbi zhvillimet në vend e rajon, si dhe për rëndësinë e zbatimit në plotëni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, dhe pranimit e nënshkrimit të saj nga ana e Serbisë, e cila po e refuzon dhe shkel në vazhdimësi marrëveshjen”.
Kurti tha se në takimet e ndara me senatorët kërkoi që t’i bëhet trysni Serbisë për sulmin terrorist të Banjskës.
“Ka ardhur koha e fundit që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të Kosovës dhe për këtë kërkova që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”.
Në këtë ditë, ai mori pjesë në diskutimin e organizuar nga NDI me titull “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike”. Në panel ishte bashkë me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson dhe ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen.
Ndërsa, një ditë më parë kur filloi Konventa, Kurti kishte takuar disa ish-zyrtarë të ndryshëm.
“Në pritjen e organizuar para fillimit të ngjarjes me mysafirët ndërkombëtarë, pata mundësinë dhe të takoj e bashkëbisedoj me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde si dhe Presidenten e NDI Tamara Ëittes, të cilëve iu shpreha falënderimin për mbështetjen e palëkundur të tyre ndër vite ndaj Kosovës, por edhe i njoha me zhvillimet në vend dhe progresin tonë ekonomik e demokratik të tri viteve të fundit”.
Ndërkaq, udhëheqësit aktualë të Administratës, Kurti mundi t’i dëgjonte gjatë punimeve të Konventës nga një distancë e largët.
“Mbrëmë u zhvillua nata e parë e Konventës Kombëtare Demokratike, përgjatë punimeve të së cilës Zëvendës Presidentja e ShBA-ve, Kamala Harris, pritet të nominohet si kandidate e Partisë Demokrate në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit. Ajo na surprizoi të gjithëve duke mbajtur një fjalë përshëndetëse që në mbrëmjen e parë, teksa folës kryesorë ishin ndër të tjerë Presidenti i ShBA-ve Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton si dhe kongresistja e Neë York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez”.
Një fotografi që Kurti e publikoi nga kjo ngjarja u përfol e u ironizua në rrjetet sociale – shkak ishte vendi ku ishte ulur Kurti gjatë Konventës.
Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i PDK-së, Bernard Nikaj, i cili po ashtu mori pjesë në Konventën e Demokratëve, duke komentuar në Klan Kosova rreth qëndrimit të Kurtit atje, deklaroi se “është shumë e çuditshme që një kryeministër i cili viziton Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ndalet edhe në Washington që të takojë edhe përfaqësues më të lartë shtetërorë, me të cilët mund të diskutohen iniciativa dhe agjenda konkrete në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror”.
Udhëtimi i Kurtit drejt SHBA-së ra në kohën kur kritikat e vërejtjet nga zyrtarët amerikanë për të u ashpërsuan.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pasi tha se “nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra”, u nxitua të shpjegojë se ftesa e Kurtit për në SHBA i shkoi nga një institut amerikan dhe jo nga qeveria.
“Sa e di unë, kryeministri Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute). Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, tha Hovenier në intervistën që pati për Radion Evropa e Lirë më 13 gusht.
“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”, tha gjithashtu Hovenier.
Por, pasi arriti në Çikago, Kurti mohoi se ka dëmtime të marrëdhënieve meqë dallimet e tij me amerikanët tha se i ka për “strategji, taktika dhe operacione” e jo për vlera e parime.
“Nuk besoj që ka kurrfarë dëmtimi të marrëdhënieve. Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje, por unë besoj që marrëdhëniet që po ndërtoj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë”.
Kësaj deklarate të Kurtit, Hovenier iu përgjigj në një konferencë për media në Prishtinë të mërkurën.
“Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është konfuze. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me disa veprime dhe zgjedhje politike të Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti. Siç kam thënë në një intervistë javën e kaluar, ne po përballemi me disa sfida të caktuara me Qeverinë e tanishme të Kosovës dhe këto sfida kanë ndikuar absolutisht në cilësinë e partneritetit tonë”.
Në një fjali që u kap në mikrofon pas përfundimit të konferencës, Hovenier i tha presidentes Osmani, me të cilën mbajti konferencën, se këtë “nuk doja të bëja, por…”.
Teksa kryeministri i Kosovës po qëndronte në Çikago, në rajon u shfaq Shefi i CIA’s, William Burns. Të martën, ai u pa në Sarajevë, pastaj shkoi në Beograd ndërsa të enjten qëndroi në Kosovë. Sot ai u pa tek ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ku takoi Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Më vonë u raportua se u ndal për takime edhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjncës dhe siç u raportua edhe në takime tjera. Përveç shfaqjes para mediave kur shkoi në ndërtesën e Kuvendit, për vizitën e Burns nuk pati ndonjë njoftim zyrtar.
Diskutime rreth kësaj post