Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve e ka shtyrë për nesër në orën 11:00 seancën për shqyrtimin e ankimimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve të pjesshme që u mbajtën në Himarë më 4 gusht 2024.
Objekti i ankesës është “Kundërshtim i vendimit nr. 85, datë 05.08.2024 “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Himarë në zgjedhjet e pjesshme të datës 04.08.2024, të KZAZ nr. 88”.
Debati u përqendrua tek zgjedhësit me kartë identiteti të skaduar.
Sipas administratës janë 6 mijë zgjedhës të cilët kanë figuruar me kartë identiteti të skaduar.
Opozita thotë se, janë mbi 200 zgjedhës, votues të regjistruar që kanë rinovuar kartat e skaduara dy ditë para zgjedhjeve, që nuk janë njohur nga pajisja elektronike.
ProfitSence Logo
Por, për socialistët kjo nuk përbën provë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, pasi votuesit janë identifikuar manualisht.
“Kjo vërteton se personat kanë pasur pasaportat, kanë pasur emrin në listë, e kanë votuar. Ku është pavlefshmëria”, tha përfaqësuesi socialist Eridian Salianji.
Mbledhja e KAS u shty për në orën 13:30′ për t’i vënë në dispozicion opozitës disa informacione shtesë nga administrata.
Në mbledhjen e orës 13:30 opozita kërkoi kohë të shqyrtojë materialin e dorëzuar nga administrata për këtë arsye KAS vendosi shtyrjen e seancën ditën e nesërme në orën 11:00
Opozita kërkoi nga administrata e KQZ: raportin e audituesit teknicien lidhur me problematikën e listave të zgjedhësve në Himarë; raportin e shkruar ose e-mail të kompanisë “Smarmatic” që menaxhon sistemin e pajisjeve PEI, pas përfundimit te zgjedhjeve në Himarë lidhur me ecurinë e procesit të identifikimit të zgjedhësve në 36 QV e Bashkisë Himarë; kopje të të gjithë regjistrave të posaçëm të 36-QV në Himarë, ku janë evidentuar të paktën 560 zgjedhës që nuk janë lejuar të votojnë, pasi karta ID e tyre rezultonte me datë të skaduar; kopje e të gjitha procesverbaleve apo dokumenteve të tjerë të votimit të 36-QV në Himarë, ku mund të jetë shënuar manualisht identifikimi i mbi 260 votuesve të cilëve, pajisja PEI nuk i njihte, edhe pse kartat e tyre ID ishin rinovuar pak ditë përpara datës 4 gusht 2024; dokumentacionin që disponon administrata e KQZ që tregon shtimin me mbi 360 zgjedhës të rinj në Himarë që nga zgjedhjet e 14 majit 2024; listën e personave të caktuar si komisionerë nga Partia Socialiste në 36-QV në Himarë, dhe funksionin në Administratën Publike (Qendrore apo Vendore) të atyre individëve që ishin pjesë e saj deri në 4 gusht 2024; dokumentacionin që vërteton se këta persona ishin pajisur me autorizim/leje paraprake nga DAP për t’u angazhuar në procesin zgjedhor.
Diskutime rreth kësaj post