Tre djem nga Britania e Madhe, kanë ardhur në Shqipëri ku po shijojnë pushimet dhe njëkohësisht po punojnë, në një prej hoteleve turistike të Himarës.
Mëngjesin e sotëm, kryeministri i vendit Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga tre adoleshentët të cilët kanë zgjedhur një mënyrë ndryshe, për të kaluar sezonin veror.
“Dhe me këta tre adoleshentë nga Anglia që kanë ardhur të punojnë e pushojnë në Himarë, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Djemtë rrëfyen edhe eksperiencën e tyre.
“Jemi këtu për të punuar në këtë hotel. Kemi ardhur këtu për t’u argëtuar, por dhe për të punuar njëkohësisht”, thekson njëri prej djemve.
“Po, jemi këtu për të punuar. Jemi tre shokë nga Anglia. Jemi të gjithë 16-vjeç. Në verë, vijmë të punojmë një muaj, shijojmë diellin, takojmë njerëz të rinj. Po, na pëlqen shumë”, tha djaloshi tjetër.
“Më pëlqen të përjetoj dhe njoh kultura të reja. Më pëlqen të takoj njerëz të rinj dhe të gjithë shqiptarët janë shumë të mirë”, tha djali tjetër.
Ata u bënë apel të rinjve shqiptarë të ndjekin shembullin e tyre. “Duhet të vijnë të punojnë në këto lloj hotelesh. Kanë detin afër dhe nuk është aspak keq. Ndërkohë, merr edhe para për atë që bën”, tha djaloshi.
“Për mua është një eksperiencë e shkëlqyer, njeh njerëz të rinjë, kulturë tjetër dhe nëse je shqiptar, vjen punon këtu, merr para dhe po ashtu shijon edhe detin”, vijoi djali tjetër.
Djemtë thanë se pasi mbarojnë turnin e mëngjesit, kanë mundësi të shijojnë edhe plazhin.
“E shijojmë plazhin për rreth 3 orë detin, pasi mbyllim turnin e parë. Kemi mundësi të lahemi, rrimë aty dhe pushojmë. Më tej, kthehemi dhe bëhemi gati për të rinisur punën. Punën e mbyllim në 17:30 dhe më pas jemi të lirë të pushojmë, dalim, shijojmë darkën. Ne punojmë 7-8 orë në ditë. Edhe paga është shumë e mirë. Unë do qëndroj deri në datën 25 gusht, pasi më tej, më vjen familja ime dhe do të vazhdoj pushimet me ta. Djemtë e tjerë do të ikin më 15 gusht”, tha djaloshi.
Gjithashtu, ata thanë se kanë dëshirë të rikthehen sërisht në Shqipëri për të përjetuar këtë eksperiencë.
“Patjetër që po. Unë vij çdo vit, jam gjysmë shqiptar. Ushqimin shqiptar e kam shumë qejf, madje ma gatuan dhe gjyshja në shtëpi, pasi është shqiptare”, tha njëri prej djemve.
Diskutime rreth kësaj post