Një 58-vjeçar në SHBA është njeriu i parë në botë zemra e të cilit është zëvendësuar me një pompë titani të përkohshme.
Organi metalik është dizenjuar nga kompania mjekësore BiVACOR për të zëvendësuar funksionin e plotë të një zemre njeriu për sa më gjatë të jetë e mundur.
Total Artificial Heart (TAH) nuk është krijuar që të rrahë si një zemër e vërtetë. Por edhe pse pa dhomëzat, BiVACOR thotë se mjafton që një njeri të kryejë edhe ushtrime, ndërsa përmasat e saj përshtaten me pjesën më të madhe të burrave e grave.
Pajisja me dy dhomëza ka madhësinë e një grushti dhe është e pathyeshme sepse i reziston degradimit.
Pjesa e vetme e lëvizshme është e fshehur brenda, një rotor i vetëm, magnetik që pompon gjakun drejt mushkërive dhe organeve të tjera të trupit. Rotori nuk ka kontakt me asnjë sipërfaqe tjetër kështu që nuk ka asnjë shans që fërkimi të shkaktojë dëme me kalimin e kohës.
E gjithë pajisja funksionon në sajë të një telekomande të vogël, të jashtme dhe portabël që del përmes stomakut.
U deshën 10 vite, dhjetëra dizajne dhe studime te kafshët, por zemra artificiale më në fund u vendos në kraharorin e një pacienti zemra e të cilit ishte afër kolapsit. Operacioni u krye në Baylor St. Luke’s Medical Center në Texas Heart Institute dhe nuk pati ndërlikime.
Sipas mjekëve, zemra e titanit funksionoi shumë mirë për 8 ditë derisa erdhi mundësia e një organi nga një dhurues.
“Jam shumë krenar që dëshmoj implantin e parë të suksesshëm të TAH”, tha themeluesi i BiVACOR. “Kjo arritje s’do të kishte qenë e mundur pa kurajën e pacientit tonë të parë dhe familjes së tij, dedikimit të ekipit dhe bashkëpunëtorëve tanë ekspertë në Texas Heart Institute”.
Sot, trajtimi më i mirë për pacientët me probleme të rënda të zemrës është transplanti por nuk mund të kryhet gjithnjë në kohën e duhur. Çdo vit, në botë zhvillohen më pak se 6000 transplante zemre.
Zemrat artificiale janë një formë për të zgjatur dhe përmirësuar jetën e pacientëve që presin transplantin dhe rrezikohen nga mosfunksionimi i zemrës.
Diskutime rreth kësaj post