Edhe pse u duke se protesta e këtij 11 korriku do të bashkonte më tej Partinë Demokratike të ndarë në disa copa, nuk ka ndodhur aspak kështu. Gazment Bardhi dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij kanë injoruar hapur ish-kryeministrin Sali Berisha. Gazeta “SOT” e paralajmëroi pak ditë më parë se qëllimi kryesor i tubimit ishte: Lirimi i Berishës dhe qeveri teknike. Madje kërkesën për të çliruar Berishën nga akuzat e kishte artikuluar edhe vajza e ish-kryeministrit, Argita Malltezi, e cila lëshoi disa ultimatume në adresë të grupit të Bardhit që t’i bindeshin, sikundër ishte veshja e bluzës me mbishkrimin “Lironi Berishën”, që do të kulmonte në prot6estëb e kësaj të enjte.
Por urdhri i zonjës Malltezi nuk është zbatuar nga Bardhi dhe besnikët e tij, pasi në një vëzhgim që gazeta “SOT” i bëri protestës, rezultojë se të gjithë, pra elita e PD kishin veshur bluza me mbishkrimin “Lironi Berishën”, ndërkohë që renegatët e Lulzim Bashës kishin zgjedhur të mos i vishnin, duke mos u solidarizuar me mbështetësit e “non-gratës”. Pra kjo tregon se konflikti brenda Partisë Demokratike sa vjen dhe po thellohet, pasi Bardhi dhe grupi i tij, përveçse nuk veshi bluzën me mbishkrimin “Lironi Berishën”, kanë dalë hapur kundër kryedemokratit, për të cilin mendojnë se nuk duhet të jetë kandidat i PD për kryeministër.
Reagon Baçi
Por kjo kryeneçësi e Gazment Bardhit dhe bashkëpunëtorëve të tij për të mos u solidarizuar me kreun e PD, Sali Berisha, ka vënë në lëvizje ithtarët e ish-kryeministrit. Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka dalë kundër deklaratave Gazment Bardhi se Sali Berisha nuk duhet të jetë kandidati për kryeministër i PD. I ftuar dje në një media, Baçi theksoi se nuk e vendos Gazment Bardhi e se deklarata të tilla nga drejtues të lartë në PD janë për të ardhur keq, kjo pasi partia ka një statut. Sipas statutit, tha Baçi, kryetari i partisë do të jetë edhe kryeministër e në rastin konkret është Sali Berisha. “Janë të pavlera deklarata e tyre. PD ka një statut dhe parashikon të gjitha zgjidhjet që ka PD. Nuk do të dakordësohesha me propozimin se kryeministri do të zgjidhet pas zgjedhjeve duke e kaluar në votë. Kryetari i partisë është kryeministër dhe për mua ashtu siç është kryetar Berisha do të jetë edhe kryeministër. Më vjen keq kur bëhet nga drejtues të PD-së deklarata të tilla. Nuk është në dorë të zotit Bardhi.
PD ka një statut për mua këto diskutime nuk duhet të bëhen fare. Berisha kur është pyetur do të zgjidhet nga anëtarësia. Ky është një propozim që duhet të miratohet në Këshillin Kombëtar… sot që flasim ka një dhe është drejtuesi i PD-së do të jetë dhe kryeministri i vendit”, deklaroi dje ai. Po ashtu Baçi sulmoi edhe deputetin e PD-së Saimir Korreshi. Për gazetarin Arbër Hitaj, Baçi tha se nuk merret me disa individë që çfarë thonë në darkë nuk e thonë në mëngjes. “Nuk merrem me individë se çfarë thonë në darkë nuk thonë në mëngjes, unë jam koherent me qëndrimet e mia. Unë vazhdoj të jem drejtues politik i Fierit. Kur PD është Rithemeluar jam emëruar në Fier dhe vazhdoj të kryer detyrën. Se çfarë vendimesh do të merren një vendimet të strukturave”, nënvizoi Baçi.
Reagon Berisha
Ndërkohë edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje, ndërsa ka treguar se është ai shef i demokratëve. Duke folur para mbështetësve të tij nga banesa ku qëndron i izoluar, ai theksoi se Partinë Demorkatike nuk mund t’ia marrë askush. “Berisha: Sali Berisha nuk u kthye si politikan, por si misionar. Dhe misionarët nuk ka forcë në botë që t’i mposhtë. Sa herë dëgjuat se duhet të hapim parti të re?
Por sot, ne kemi partinë e rithemeluar. Flamurin tonë të bukur ngjyrë blu. Dhe të gjitha këto, sepse Rilindja, sepse narkoshteti, sepse Edi Rama, nuk e kuptojnë dot kurrë se ne nuk mund të mposhtemi. Sepse ne sot nuk jemi thjesht opozitarë. Ne jemi misionarë. Sepse Sali Berisha nuk u kthye si politikan, por u kthye si misionar. Dhe misionarët nuk ka forcë në botë që t’i mposhtë. Sepse beteja jonë nuk është politike, është për shpëtimin e demokracisë dhe Shqipërisë. Prandaj ne nuk mposhtemi. Prandaj ne nuk ndalemi. Prandaj ne do fitojmë. Rrofshi ju. Rroftë çdo shqiptar që dje zgjoi shpresën. Rroftë Partia Demokratike. Rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore! Zoti ju bekoftë”, deklaroi dje Berisha.
Diskutime rreth kësaj post