“Ujë nga Shqipëria apo nga Sagiadha”. Ky ishte titulli i faqes së parë të gazetës lokale “Corfupress” para disa ditësh, e cila i rikthehet përsëri problemit aq jetik për Korfuzin, por edhe për Lefkadhën, mungesës së ujit të pijshëm.
Autoritetet në dy ishujt e Jonit verior, janë tepër të shqetësuara për verën e këtij viti, pasi nuk dinë si ta përballojnë problemin më të madh që kërcënon mirëqenien e banorëve dhe rrjedhën e turizmit, furnizimin me ujë si një problem që ka vite dhe nuk po zgjidhet.
Në Korfuz, me iniciativën e Guvernatorit të Qarkut Yiannis Trepeklis në bashkëpunim me kryetarët e bashkive si dhe me ndërhyrje në pushtetin qendror, kërkohen “rrugëzgjidhje” me një tubacion nga Greqia kontinentale, ndërsa në Lefkada, tubacioni ekzistues që furnizon ishullin, më shumë pikon se sa sjell ujë.
Sipas gazetës, organet lokale kanë vijuar kontaktet me zyrtarë të lartë të qeverisë, ku thuhet se kanë marrë “dritën jeshile” për të parë si zgjidhje premtuese, marrjen e ujit përmes një tubacioni nënujor drejt Korfuzit nga burimet në Syrin e Kaltër të Shqipërisë.
Qeveria greke duket se konsideron këtë projekt si mundësi e bashkëpunimit ndërshtetëror, që nuk do të ndikohet nga tensionet ndoshta të përkohshme që krijohen mes dy vendeve- shkruan gazeta.
Madje përmendet edhe fakti se zona e jugut të Italisë pritet të furnizohet nga burimet ujore të Gjirokastrës, me një projekt që diskutohet kohët e fundit në programet trans-evropiane të financuar nga qeveria italiane, për ndërtimin e një tubacioni nënujor 85 km të gjatë me një kosto prej rreth 1 mld euro.
Diskutime rreth kësaj post