Fishekzjarret e nisura nga një jaht në Greqi shkaktuan një zjarr në pyll në ishullin Hydra, ka njoftuar autoriteti lokal i zjarrfikësve. Zjarri dogji pyllin e vetëm me pisha në ishullin turistik, i cili shtrihet në jug të Athinës.
Bëhet e ditur se zjarri tashmë është vënë nën kontroll, por me vështirësi, ndërsa po ashtu raportohet se 13 anëtarë të ekuipazhit janë arrestuar dhe mjeti lundrues është sekuestruar. Jahti me emrin “Persephone” ishte marrë me qira nga një grup prej 17 personash nga Kazakistani.
“Jemi të indinjuar që disa njerëz në mënyrë kaq të papërgjegjshme hedhin fishekzjarre në një pyll me pisha”, tha kryetari i bashkisë së Hydra, Giorgos Koukoudakis, mëngjesin e sotëm.
Zjarret e fuqishme janë të zakonshme në vendin fqinj, por ato janë bërë më shkatërruese pasi sezonet verore janë bërë më të nxehta, më të thata dhe me erëra te forta, gjë që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike. Banorëve të disa fshatrave në zonat e prekura nga zjarri iu kërkua të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa disa përdorën kova të vogla për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
Së fundmi, një zjarrfikës vullnetar 55-vjeçar vdiq nga plagët që mori duke luftuar një zjarr në rajonin jugor të Ilia në gadishullin e Peloponezit. Në fillim të këtij viti, shteti grek solli ligje më të ashpra, me autorët e zjarreve që tani përballen me 20 vjet burg dhe gjoba deri në 200 mijë euro.
Diskutime rreth kësaj post