Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nga studio e një emisioni televiziv shprehet se vendimi i Gjykatës së Apelit për vulën dhe logon ishte i pritshëm, pasi Gjykata e Lartë kishte caktuar të gjitha konturet.
Bardhi tha gjithashtu se ky vendim i jep fund një konflikti të stisur brenda PD-së.
“Qytetarët presin 4 apo 5 vite në dyert e drejtësisë për një vendim të formës së prerë. Në rastin e PD-së kemi një shqyrtim me përparësi të çështjes. Një vit para zgjedhjeve kemi një zgjidhje përfundimtare”, tha Bardhi. Ai tha se nuk ka prova që ky proces të ketë qenë i ndikuar politikisht.
Përballë një paneli me gazetarë dhe analistë, Bardhi tha se respekton vendimet e Gjykatave duke shtuar se ka qenë një papërgjegjshmëri brenda PD-së që nuk u gjet një zgjidhje politike brenda vetes.
“Duhej të prevalonte përgjegjshmëria e secilit prej nesh”, tha Bardhi.
Analisti Arion Sulo e pyeti Bardhin se çfarë ka ndodhur me të pasi 2 apo 3 vite më parë mbronte qëndrimin se vula i takonte Lulzim Bashës, ndërsa më pas ndryshoi mendim.
Bardhi tha se Gjykata e Apelit dha një vendim që duhet pranuar. “Unë pranova vendimin e dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri, kam dorëzuar çelësat në atë kohë të zyrës, pra unë e zbatoj vendimin e Gjykatës”, tha Bardhi.
Sulo e pyeti Bardhin nëse ka gabuar kur e ka quajtur në një formë të caktuar Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, ndërsa Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se nuk ka asnjë rëndësi qëndrimi i tij përsa kohë ka një vendim gjykate.
“Qëndrimin politik unë e kam shprehur qartazi, jam te Partia Demokratike e Shqipërisë, nuk jam aty për individë politikë”, tha Bardhi.
Diskutime rreth kësaj post