Luiza Gega, i ka kaluar me sukses kualifikueset e 3000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian të atletikës, aktivitet që po mbahet në Romë.
Gega zhvilloi një garë taktike, duke u renditur e teta në baterinë e saj me kohën 9:35.77, rezultat që i mundësoi kalimin në finalen që do të mbahet mbrëmjen e së dielës në orën 22:00, duke vijuar kështu të bëjë histori me paraqitjet e saj në evenimentet më prestigjioze të atletikës.
Kujtojmë që Luiza Gega, vjen në këtë aktivitet si kampione në fuqi e Europës dhe me rekord kompeticioni, pas asaj paraqitje fenomenale të dy viteve më parë në Mynih.
Gega gjithashtu, është e kualifikuar me normë edhe në Lojërat Olimpike që do të nisin muajin e ardhshëm në Paris.
Ndërkohë sot në Europian, konkurroi gjithashtu edhe Izmir Smajlaj në kualifikueset e garës në kërcim së gjati.
Ndonëse shënoi rezultatin e tij më të mirë sezonal, 7.78 metra, kampioni shkodran nuk arriti të shkonte në finale.
Diskutime rreth kësaj post