Grupi Parlamentar i Rithemelimit ka njoftuar dje Kuvendin me anë të një shkrese lidhur me ndryshimet në Kryesinë e grupit të tyre. Sipas dokumentit të firmosur nga Gazment Bardhi, nuk ka asnjë referencë për Sali Berishën që të emërohet kryetar grupi siç deklaroi në seancë Edmond Spaho, por kërkon sërish rikthimin e tij në grup. Por “revolucionistët” e Rithemelimit kanë hequr nga komisionet parlamentare dhe nga organet e tjera në Kuvend deputetët Partisë Demokratike zyrtare. Gaz Bardhi si kreu i grupit parlamentar i grupimit të Rithemelimit i cili nuk ndalet me shërbimet e tij ndaj Berishës por duke bërë njëkohësisht dhe lojën e Ramës, në emër të grupit të Rithemelimit, ka kërkuar heqjen nga Këshilli i Legjislacionit të Sekretarit të Përgjithshëm dhe deputetit të PD Enkelejd Alibeajt dhe kërkon ta zëvendësojë me Dhurata Çupin. Edhe kreu i PD, Lulzim Basha, është “hequr” nga Bardhi Asambleja Parlamentare për Bashkëpunimin e Europës Perëndimore dhe në vend të tij ka “emëruar” Oerd Bylykbashi. Nga ana tjetër nënkryetarët e grupit të Rithemelimit, do të jenë Ervin Salianji dhe Albana Vokshi, ndërsa zëdhënëse dhe sekretare Ina Zhupa. Sakaq, Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Ina Zhupa, Zhani Gjergji, Saimir Korreshi dhe Sorina Koti do të jenë anëtarë të Komitetit për Stabilizim Asociimin. Por pavarësisht nga dëshirat e Berishës dhe Bardhit, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nuk ka guxuar këtë herë që të bëjë lojën e Rithemelimit, pasi tashmë për nderet që i ka bërë deri tani në mënyrë të jashtëligjshme strukturës ilegale të Rithemelimit, ajo është e kallëzuar në SPAK për shpërdorim detyre.
Detajet
Konkretisht, prej 5 muajsh në “arrest shtëpie” për aferën Partizani, Gazment Bardhi kërkoi dje rikthimin e Sali Berishës në grupin e PD. Kjo kërkesë e Bardhit, që nuk u lexua nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, në nisje të seancës plenare nxiti debate të ashpra, ndërsa riktheu sërish kaosin në Kuvend.
Bardhi: Kur lexon njoftimet e grupit lexoi deri në fund jo një pikë jo një po.
Nikolla: Në shkresë ka një person që është përjashtuar nga grupi me vendim të PD e duhet të futet po me vendim të PD.
Debatet
Rithemelimi në bllok reagoi duke akuzuar Nikollën se po shkel Kushtetutën dhe se po vepron me dy standarde. Sipas tyre edhe Berisha duhet të rikthehet në grupin e PD, njëjtë siç më 11 prill u kthyen deputetët e tjerë të përjashtuar nga Basha. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla argumentoi se rikthimi i Berishës mund të bëhet vetëm me vendim të Partisë Demokratike.
Edmond Spaho: Ju detyron të njoftoni që Berisha është pjesë e grupit, ca keni ju me vendimet e grupit të PD. Është përgjegjësia jonë të pranojmë në grup ose jo. Ku e gjeni ju të drejtën të merrni vendime të tilla.
Luan Baçi: Para disa kohësh keni marrë një vendim për futjen në grup e PD të disa deputetëve të përjashtuar. Janë dy standarde, janë dy qëndrime të kundërta, jeni në shkelje të ligjit.
Oerd Bylykbashi: Ju po shkelni Kushtetutën. Kush ndalon mandatin imperativ të deputetit askush nuk ndalon deputetët përveç votës së popullit. Vendimi juaj për të lënë jashtë një deputet, është vendim antikushtetues, është veprim i qëllimshëm për të bllokuar opozitën.
Ina Zhupa: Sali Berisha është kryetar i PD, e lexoni ose jo ju rregulloren. Atë e lexojë shqiptarët dhe ata që e kanë zgjedhur deputet Sali Berishën. Zbatoni rregulloren.
Në shkresën që Bardhi ka dorëzuar në Kuvend si kreu i Grupit, e cila mban datën 29 maj 2024, njofton se ka shkarkuar nga të gjitha funksionet që kishin në grupin parlamentar të PD, të gjithë deputetet që i përkasin PD zyrtare, edhe pse në fakt ata s’kanë asnjë lidhje me Rithemelimin dhe vulën e partisë e ka ende Lulzim Basha. Kreu i PD zyrtare, Lulzim Basha është hequr nga anëtar në Asamblenë për bashkëpunimin e Evropës Perëndimore dhe është zëvendësuar nga Oerd Bylykbashi. Po ashtu, Bardhi përmes kësaj shkrese njofton se Ervin Salianji dhe Albana Vokshi do jenë nënkryetarë të grupit, ndërsa Ina Zhupa zëdhënëse dhe sekretare e grupit. “Kemi njoftim nga grupi parlamentar i PD. Në kryesinë e grupit parlamentar janë bërë ndryshime. Nënkryetar Ervin Salianji, nënkryetare Albana Vokshi, sekretar Ina Zhupa”, lexoi kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Ky ndryshim në Kryesinë e Grupit, vjen pasi Bardhi më datë 19 prill njoftoi se ka shkarkuar deputetin Arbi Agalliun nga detyra e tij si sekretar në grupin parlamentar të PD si dhe deputeten Oriola Pampuri si zëdhënëse, pasi nuk iu bashkuan padisë për Olta Xhaçkën. Po ashtu, Bardhi në këtë shkresë njofton edhe ndryshime në përbërjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Me këtë lëvizje Bardhi largon Enkelejd Alibeajn, krahun e djathtë të Lulzim Bashës. Nga Këshilli i Legjislacionit është hequr emri i Enkelejd Alibeajt dhe është vendosur anëtare Dhurata Çupi
Si ishte përbërja e Këshillit për Mandatet
1. Gazment Bardhi
2. Enkelejd Alibeaj
3. Oerd Bylykbashi
4. Greta Bardeli
5. Saimir Korreshi
Ndryshimet e Bardhit (vetëm emrat e opozitës)
1. Gazment Bardhi
2. Ervin Salianji
3. Oerd Bylykbashi
4. Dhurata Çupi
5. Saimir Korreshi
Diskutime rreth kësaj post