Dorian Alia 32-vjeç , është shfaqur në gjykatën e Tiranës, i penduar dhe me një ndjesë publike, i lënë në masë arresti me burg për dhunën ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, 1 javë më parë (më 29 maj).
I kërkoj ndjesë familjes së tij në veçanti fëmijëve të tij, por edhe opinionit dhe shoqërisë që u prek shumë nga ngjarja. Askujt mos i ndodhtë një situatë e tillë”, mësohet të jetë shprehur Dorian Aliaj.
Në seancën e mbajtur më 1 qershor, i riu nga Tropoja, i ka qëndruar versionit se asgjë nuk ka qenë e qëllimshme, e përllogaritur, apo e porositur nga vjehrri i tij Dritan Nano, i cili u la gjithashtu në masë “arresti me burg” si organizator i sulmit të dhunshëm.
Momenti që nxiti mllefin e të riut ndaj avokatit është shënjuar në muajin shkurt 2024. Ai thotë se ka qenë dëshmitar i takimit mes vjehrrit të tij, 58-vjeçarit Dritan Nano dhe avokatit Sokol Mëngjesi në muajin shkurt 2024 për procesin e pronës te diga e Liqenit, aty ku sot janë ngritur 5 kulla të Bashkim Ulajt.
“Qëndrova në distancë dhe ndoqa bisedën me tone jo të përshtatshme nga ana e avokatit për pretendimet e ngritura për pagesat mbi përfaqësimin e kryer. Euforia e moshës, sedra e prekur dhe gjaknxehtësia, më çuan në reagimin e papërmbajtshëm dhe aspak të hijshëm dhe në momentin kur e kuptova situatën u vetë-dorëzova në polici”, mësohet të jetë shprehur Dorian Alia.
Prona është trashëgimi e vjehrrës së 32-vjeçarit, Albana Nanos, dhe si përfaqësues ligjor i familjes, avokati Mëngjesi fitoi në të dyja shkallët e gjykatave duke i kthyer pronën, e në këmbim do të merrte përqindjen e tij në këtë pronë.
Por kontrata u shkel, avokati paditi Nanon në gjykatë, dhe prona përfundoi e bllokuar nga Përmbarimi.
Duke zbuluar se 2 personat në kërkim, Drivald Aliaj dhe Elton Kasajn, i ka kushërinj, i riu Dorian Alia thotë se nuk ka pasur asnjë koordinim me ta, por sipas tij, avokati me të cilin vjehrri kishte probleme, i doli rastësisht para.
Shokun, Romario Tabaku, 32-vjeçari i arrestuar thotë se e telefonoi t’i largojë me makinë pasi situata i kishte dalë jashtë kontrollit.
Ditën kur avokati 45-vjeçar, u sulmua dhunshëm në derën e kopshtit 31 në zonën e ish-bllokut sapo la djalin, familjarët e Dorian Aliaj, bashkëshortja me fëmijët, Dritan Nano dhe vjehrra, kanë qenë në Pogradec-dhe sapo është kontaktuar nga policia 58-vjeçari Nano, është paraqitur në Drejtorinë e Tiranës, duke mohuar të ketë porositur agresionin.
Prokuroria e Tiranës, e zbuti akuzën nga vrasje e funksionarëve publik, mbetur në tentativë në ‘plagosje të rëndë me dashje dhe goditje të gjyqtarit.
Diskutime rreth kësaj post