Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë emisionit “Report” në Rai 3, se personat që ngrenë akuza ndaj tij apo qeverisë kanë dhe barrën e provës. Sipas kreut të qeverisë, ata që hedhin baltë me Shqipërinë, janë ata që kanë humbur luksin e të qenit në një karrige pushteti dhe janë nën hetim nga drejtësia.
“Kanabizimi? Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen. Duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë. Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka””, tha Rama.
“Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Bechetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post