Profesori i njohur, Ervin Karamuço ka risjellë në vëmendje arratisjen e ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski. Në një reagim për gazetën “SOT”, ai është shprehur se ka të dhëna të besueshme se një politikan shqiptar e ka ndihmuar Gruevskin duke e strehuar për një natë në banesën e tij. Këtë fakt, Z.Karamuço e mbështet me sistemin TIMS, pasi aty nuk rezulton të jetë vetëm. Sipas tij, ish-kryeministri ka hyrë në tokën shqiptare nëpërmjet kufirit jugor dhe pas 24 orësh qëndrim në Shqipëri është arratisur në drejtim të Malit të Zi, aty ku ka humbur edhe gjurmët. “Ka të dhëna të besueshme që në kohën kur Gruevski mori vendimin për tu arratisur nga Maqedonia, zgjodhi itinerarin të hynte në kufirin jugor shqiptar, të rrinte një natë në Shqipëri dhe pastaj të dilte nga kufiri verior, Hani Hotit mos gaboj, në drejtim të Malit të Zi dhe pastaj humbi gjurmët. Problemi qëndron se kush e ndihmoi këtë Gruevskin, sepse në sistemin TIMS në Shqipëri nuk rezulton të jetë vetëm. Makina e personit që e ka shoqëruar rezulton, ndërsa Gruevski nuk rezulton. Kush autoritet, dyshohet se e ndihmoi dhe e dyta: kjo gjë është diskutuar dhe në Parlamentin maqedonas ndikimi i një politikani se kush e ndihmoi Gruevskin dhe e strehoi një natë në shtëpinë e tij. Në Shqipëri është folur shumë pak për këtë gjë. Autoritetet shqiptare në gjithë këto ndryshime që janë ngritur, duhet t’i verifikojnë e t’i zbardhin. Dhe nëse ka përgjegjësi penale t’i çojnë në Prokurori”, u shpreh Karamuço për gazetën “SOT”.
Përgjimet “SKY”
Gjithashtu, Karamuço ka folur dhe për vendimin e fundit që ka dhënë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për përgjimet e aplikacionit ‘SKY’ dhe ‘Encrochat’. Pati zëra në Shqipëri se këto përgjime nuk do të përdoren. Por me detajet që Karamuço dha rezulton të jetë e kundërta. Ai madje thotë se po ndjek nga afër në Belgjikë gjyqin e madh për Encrochatin dhe SKY-in, ku shumë shpejt pritet të merret një vendim. “Aktualisht unë jam në Belgjikë ku po zhvillohet një gjyq shumë i madh për Encrochatin dhe SKY-in dhe shumë shpejtë do të merret një vendim. Është një numër i madh i të pandehurve, e kam ndjekur si proces, nuk po ndikohet fare absolutisht nga të gjitha këto vendimmarrje që janë bërë në Gjykatën e Drejtësisë dhe nuk afekton e as prek fare legjislacionin e Shqipërisë dhe vendimet që ndërmerret nga gjykatat tona. Kush ka komunikuar në SKY dhe Encrochat, ka urdhëruar vrasje, ka bërë trafik ndërkombëtar droge, qofshin zyrtar ose krimi i organizuar, jeni të sigurtë se të gjithë do të ikin në burg. Është vetëm çështje kohe. Të mos jetë as iluzioni më i vogël që mund t’i shpëtojnë me procedurë. Nuk shpëtojnë kurrë me procedurë”, u shpreh profesori. Kujtojmë se gjykata belge ka zhvilluar disa seanca për 129 të pandehurit të arrestuar në kuadër të operacionit “SKY ECC”. Të pandehurit janë të kombësive të ndryshme, si grekë, italiane, dhe shqiptarë, mes tyre edhe biznesmeni nga Vlora, Eridan Munoz Guerrero. Ky i fundit merrte me qira automjete të mëdha për të transportuar kokainë. Duke mbërritur në Antëerp nga Amerika Latine, ai u transferua në Belgjikë, përpara se të dërgohej në katër anët e Evropës Perëndimore. Nëse pranon gabimet e tij, trafikanti ia bën të qartë edhe audiencës se shpreson që bashkëpunëtorët e tij të bëjnë të njëjtën gjë. Gjyqtarët kanë kërkuar 15 deri në 20 vite burg, ndërsa pala mbrojtëse ka pretenduar se ky dënim është i padrejtës sepse të dhënat e papërpunuara, miliona mesazhe të mbledhura përmes “Sky ECC”, nuk do t’i komunikoheshin plotësisht mbrojtjes. Pas deklaratave të avokatëve të të pandehurve Gjykata ka njoftuar se çështja do të merrej nën këshillim. “Gjyqtarët do të analizojnë argumentet e palëve, prokurori, avokatët, por në bazë të dosjes. Në këtë rast, 220 mijë faqet që janë objekt i analizës së tyre. Por jo në lidhje me dosjet e tjera që dëgjojmë në shtyp, nëse është e nevojshme, do të duhet të shqiptohet një dënim”, është shprehur Denis Goeman, zëdhënës i Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit. Operacioni u mundësua kryesisht nga deshifrimi i mesazheve Encrochat dhe Sky ECC, që trafikantët përdornin për të shkëmbyer drogë dhe për të bërë ‘biznesin’ e tyre në fshehtësi të plotë. Një lloj rrjeti paralel komunikimi, i cili i shërbeu tregtisë së drogës me një efikasitet të jashtëzakonshëm.
Diskutime rreth kësaj post