Monika Kryemadhi dhe Endrit Braimllari kanë reaguar ashpër ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit prej disa ditësh ka nisur spastrimet nga parti, nga paranoja se e kanë tradhtuar. Viktima e parë e këtyre spastrimeve është bërë Endrit Braimllari, që ka dhënë dorëheqjen si nënkryetar partie. Edhe e besuara e Monika Kryemadhit, Elona Guri, është shkarkuar nga Meta, ndërsa e njëjta gjë pritet dhe për vetë Monika Kryemadhin. Madje zoti Meta nuk ka ngurruar që t’i denigrojë dhe sulmojë edhe publikisht ata që deri më dje i kishte bashkëpunëtorë të ngushtë, sikundër është Monika Kryemadhi, me të cilën ndan edhe shtratin bashkëshortor. Por përpara kësaj ofensive të nxitur nga Meta, ka pasur edhe reagime nga protagonistët Kryemadhi dhe Braimllari, të cilët kanë shigjetuara në distancë Ilir Metën.
Reagimi i Kryemadhit
Fillimisht ka qenë Monika Kryemadhi, e cila ka reaguar dje menjëherë pas deklaratave të forta që ka bërë bashkëshorti i saj, njëherësh kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ajo thotë se opozita duhet të vijë me dije, vizion dhe propozime konkrete, që ngjallin shpresë dhe besim për popullin shqiptar, jo me filmat e vjetër. Kryemadhi, njëkohësisht deputete e PL-së, i ka cilësuar akuzat për nepotizëm në parti, si deklarata në shërbim të Edi Ramës me të cilat kërkon të shfokusojë vëmendjen nga inceneratorët. “Shfokusimi nga INCENERATORËT që unë kam kallëzuar me përgjegjësinë e firmës time dhe protagonizmi BOSH janë sot shërbimi më i mirë që mund ti bësh Edi Ramës, Erion Veliaj & Bandës së tyre. Denoncimi me fakte, prova dhe firmë konkrete kundër bandës në qeveri dhe bashki; këto janë tema kryesore që mendoj se duhet të udhëheqin aksionin opozitar. Gjithashtu, unë besoj se shqiptarët presin nga Opozita ide, vizion dhe propozime konkrete, që ngjallin shpresë dhe besim për popullin shqiptar. Se si do të rrisim mirëqenien dhe sigurinë e tyre. Filmat e vjetër me të njëjtin përfundim janë pa interes për shumicën e shqiptarëve”, shkruan Kryemadhi në reagimin e saj.
Reagimi i Braimllarit
Ndërkohë edhe Endrit Brahimllari teksa ishte i ftuara dje në një media, ka shpjeguar arsyet e dorëheqjes nga funksioni i nën Kryetarit të Partisë së Lirisë. “Jam dorëhequr për çështje të brendshme organizate. Do të jemi anëtar i kësaj partie se aty kam të gjithë angazhimin tim, kam një rrugëtim shumë të gjatë. Ilir Meta nuk ma ka kërkuar dorëheqjen, kam bërë unë disa hapa pas, që nëse doni të organizoni partinë mos të krijoni armiq të brendshëm imagjinarë, do të shkojmë në konventë me dy teza kryesore. Nuk ka përplasje të brendshme. Monika Kryemadhi nuk është pjesë e lidershipit. Unë ndihem krenar sepse nuk und ta eliminoj historinë. Unë nuk jam për të manipuluar historinë”, deklaroi ai. Po ashtu, Braimllari u pyet më tej nëse e bën Ilir Meta këtë. “Unë se di çfarë do të bëjë Ilir Meta. Ka qenë shumë korrekt me strukturat, organizimin, ka propozuar një platformë, është diskutuar edhe në 2016, nuk jam gjë kundër kësaj platforme. Jam krenar që është prezantuar Erisa zv. presidente. Nëse ka bërë një gabim një nga bashkëpunëtorët e mi në kohë të vështira, unë mendoj që më i rëndësishëm është një anëtar i PL se sa Edi Rama apo Veliaj. Unë kam mendim tjetër për SPAK që ka prokurorë të ndershëm që luftojnë krimin e organizuar”, u shpreh ai. Nga ana tjetër, Endrit Braimllari, ka komentuar edhe djegien e mandateve disa vite më parë nga Monika Kryemadhi. I pyetur nëse Ilir Meta ka qenë apo jo në dijeni të djegies së mandatave nga deputetët, zoti Braimllari u shpreh se Monika kërkoi djegien e vetëm një mandati. Ai thekson se Ilir Meta ka qenë i informuar për ketë skenar. “Kam qenë vetë deputet kur vendosëm mbi djegien e mandateve. E them me përgjegjësinë maksimale, Monika ka hyrë në mbledhjen e grupit, ka kërkuar që të djegë vetëm ajo mandatin. Ka qenë nën presionin e kolegëve të tjerë që nëse e djeg, do ta djegim të gjithë. Në dijeninë time, Meta ka qenë i informuar për këtë skenar, për ta djegur një person dhe jo i gjithë grupi. Kam qenë pjesë kur Monika, si kryetare në atë kohë, ka qenë nën presionin pozitiv, se po e dogji ti mandatin, do e djegim të gjithë”, nënvizoi Braimllari.
Diskutime rreth kësaj post