Deputeti i PD Dashnor Sula ka sqaruar se derdhja e bidonëve të qumështit në portën hyrëse të Kuvendit të enjten, ishte një gjest revolte për të tërhequr vëmendjen, pasi fermerët kanë nevojë për mbështetje.
“E kam bërë këtë lloj vepre për të tërhequr vëmendjen sepse e njoh mjaft mirë fshatin. Një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë janë në fshat dhe janë më të persekutuar, më të vuajtur. Qeveria nuk i konsideron fshatarët, fermerët, bujqit. Nuk i konsiderojnë shtresat në nevojë. Ka fjalë që thonë tek opozita që më thonë “ç’të duhet, mbylle gojën”. Atë ditë që vajta me qumështin më kapën e më thanë “po ti, të dënon Zoti për qumështin”, u shpreh Sula.
Deputeti demokrat tha se ndihet fajtor që është pjesë e politikës, që po i shkakton shumë dëm Shqipërisë.
“Unë shpreh keqardhje për situatën në të cilën ndodhemi. Shumica e të rinjve ndihen mjaft të zhgënjyer nga situata në Shqipëri dhe kjo më bën të ndihem fajtor si pjesë e kësaj politike dhe shpesh vë në dyshim veten time pse duhet të jem pjesë e kësaj politike që po i shkakton Shqipërisë shumë dëm.
Ndihem aq keq sa shpesh e mendoj që duhet të kemi reagime të forta qytetare, por edhe brenda politikës individë që duhet të kuptojnë. Këto zëra duhet të shtohen dhe të vazhdojmë te reagojmë sepse ky vend po shkon drejt një situate katastrofike”, tha deputeti në një lidhje skype në “7pa5” në Vizion Plus.
Diskutime rreth kësaj post