Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shkelur marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, pjesë e rrugëtimit për integrimin e Shqipërisë në BE.
Berisha: Qytetarët shqiptarë janë qytetarët më të vjedhur, janë qytetarët më të gjobitur, sepse punët publike që ndërtohen në këtë vend, ndërtohen me një çmim 5 herë, 10, 15 herë më të shtrenjtë se në çdo vend tjetër evropian. Ju keni dëgjuar se si, rruga Ibë-Farkë kushtoi 30 milionë euro kilometri, ndërkohë që tuneli i Kërrabës që u ndërtua më parë kushtoi 13-14 milionë euro kilometri. Ju keni dëgjuar se unaza e Tiranës shkon 24 milionë euro kilometri. Ju keni dëgjuar se si, çmimi i rrugës Kardhiq-Delvinë nga 700 mijë euro që ishte në kilometrat që u ndërtuan para vitit 2013, kaloi në 5 milionë euro në kilometrat që u ndërtuan pas vitit 2013.
Ju keni dëgjuar se si rruga Ersekë-Korçë nga 800 mijë euro kilometri, në 18 kilometrat e para që u ndërtuan para vitit 2013, kaloi në 5 milionë euro pas vitit 2013. Për të gjobitur qytetarët shqiptarë dhe për ti vjedhur në këtë mënyrë, ata këto mostra të pangopur, çfarë bënë? Kanë dy taktika. Së pari përjashtuan totalisht ndërtuesit e mëdhenj të rrugëve në Europë. Ne me firmat më të mëdha Europiane, nga Hani i Hotit në Gjirokastër dhe kudo, ndërtuam rrugët me çmime 5-8 herë më lirë me firmat më të mira evropiane. Shikoni se çfarë bëjnë hajdutët tuaj dhe të shqiptarëve, qeveritarët hajdutë.
Kanë krijuar rregulla të cilat me të famshëm e-Albania, i përjashtojnë të huajt nga pjesëmarrja. Shpallin tenderin për 30 ditë ndërkohë që afati për të përkthyer dokumentet për firmat e huaja nga momenti i shpalljes së tenderit në e-Albania, është 38 ditë. Prandaj dhe rrugët shemben, qytetarët vidhen. Prandaj dhe nuk ka rrugë të përfunduara. Por si mund të bësh këtë, si mund të pengosh kompanitë që ndërtuan Europën të ndërtojnë në vendin tënd. A është kjo një shkelje flagrante e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe pse? Për të vjedhur, për të vjedhur.
Diskutime rreth kësaj post