Ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare stilisti i famshëm botëror Roberto Cavalli. Siç shkruajnë mediat e huaja, ai vdiq në shtëpinë e tij në Firence pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje.
Italiani, pasuria e të cilit besohet se shkon në 400 milionë Euro, vjen nga një familje artistësh. Ai ka lindur më 15 Nëntor të vitit 1940 në Firence.
Pas martesës së parë me Silvanella Giannoni në 1977, Cavalli njohu Eva Maria Duringer gjatë një kompeticioni bukurie. Me të e kurorëzoi dashurinë në vitin 1980. E jo vetëm kaq, ajo u bë krahu i tij i djathtë edhe në aspektin profesional duke e ndihmuar markën e tij që të rritej. Çifti kanë 3 fëmijë, Rachele, Daniele dhe Robin. Me gruan e parë, ka dhe dy të tjerë: Cristiana e Tommaso. Por Cavalli pati fatin të bëhej baba edhe së fundmi. Me modelen Sandra Nilsson-Bergman ai solli në jetë edhe një djalë.
Ai ishte një njeri shumë i dhënë pas printeve të ndryshme tek veshjet dhe me talentin e tij shkëlqeu për vite me radhë.
Për herë të parë ai u bë i njohur në vitin 1970 kur veshi yjet si Sophia Loren apo Brigitte Bardot. Koleksioni i tij i parë quhet “Salon du Prêt-à-Porter” dhe u prezantua po këtë vit, në Paris. Më pas në 1972-in ai hapi një dyqan të vogël të quajtur “Limbo” në Saint Tropez, produktet e të cilit shiteshin në masë. Stili i tij modern, u pëlqye akoma më shumë në brezat e mëvonshëm, nga Kim Kardashian e deri te Jennifer Lopez.
Po ta përshkruash me pak fjalë, ishte një njeri që adhuronte makinat “Ferrari”, e shihje gjithmonë me një puro në dorë dhe këmishë të zbërthyer. Arti, fotografia dhe kafshët, ishin ndër pasionet e tij kryesore. Marka e tij dallonte prej printeve me lëkurë kafshësh, qëndisjet e copat transparente. Një humbje e madhe jo vetëm për modën italiane, por edhe atë globale!
Diskutime rreth kësaj post